Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pritet të përkrahë me votë miratimin e Projektligjit për buxhetin e vitit 2021 të Kosovës, në seancën e Kuvendit të Kosovës më 28 dhjetor.
Kështu ka bërë të ditur për media, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se beson që PDK do të votojë pro buxhetit.
“Bazuar në situatën shumë serioze që mund të jetë si pasojë e mungesës së buxhetit, bazuar në mundësinë që zgjedhjet mund të zgjasin deri në konstituimin e institucioneve, me qëllim që punonjësit mos të mbesin pa paga dhe pensionistët pa pensione e shumë pagesa tjera besoj që PDK do të votoj pro”, ka thënë Hamza.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet zyrtarisht në një seancë të jashtëzakonshme të hënën e javës së ardhshme, më 28 dhjetor në ora 11:00.Në këtë seancë, janë dy pika të rendit të ditës: Votimi i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, dhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.
PDK-ja në këtë legjislaturë kishte përkrahur qeverinë, duke votuar edhe për miratimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Qeverinë e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së. Kushtetuesja ka urdhëruar edhe shkuarjen në zgjedhje brenda 40 ditësh. /RTK/