Hamza para qindra mësimdhënësve: Përkushtimi juaj do të shpërblehet, 50% rriten pagat

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një takim me qindra mësimdhënës.

Hamza u ka premtuar atyre se në vitin e parë të qeverisjes së tij, pagat do t’i rris për 50%.

“Përkushtimi juaj duhet të shpërblehet me paga dinjitoze, prandaj qysh në vitin e parë të qeverisjes sime do të rrisim pagat e sektorit publik për 50%, për të siguruar që ju të punoni me dinjitet dhe motivim. Po ashtu, do të ketë më pak burokraci dhe më shumë autonomi për mësimdhënësit. Nuk mund të kërkojmë rezultate nga ju, nëse shumicën e kohës jeni të zënë me dokumente dhe me raporte të panevojshme. Do të krijojmë një sistem të drejtë dhe të bazuar në meritokraci, ku promovimi dhe avancimi të bazohen në përkushtimin dhe aftësinë tuaj, jo në politika apo ndikime të jashtme. Jemi lodhur nga këto mënyra, nuk e meritoni. Po ashtu, do të ketë teknologji moderne në shkolla dhe universitete. Ne do të investojmë në arsim si kurrë më parë. E them me bindje të plotë se çdo cent që jepet për arsimin nuk është shpenzim, por është investimi më i duhur në shoqërinë tonë. Jam këtu për t’ju dhënë zotime konkrete, për t’ju siguruar se bashkë mundemi më mirë!”, ka thënë Hamza.