Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një tubim masiv me mijëra veteranë të UÇK-së.
Hamza ka thënë se veteranët janë ndërgjegjja e Kosovës dhe vlera që i flet secilës gjeneratë.
“Përulem para sakrificës tuaj dhe me çdo hap do ta dëshmoj se Kosova sot nuk do të ekzistonte kështu, siç është, pa trimërinë, heroizmin dhe vendosmërinë tuaj. Ju nuk jeni thjesht luftëtarë të lirisë. Ju keni qenë dhe jeni nderi i kombit tonë”, ka thënë ai.
Hamza u ka thënë veteranëve se ata nuk luftuan vetëm për pragun e shtëpisë, por për drejtësi, barazi dhe dinjitet për të gjithë qytetarët e vendit.
“Ishte trimëria juaj, ishte sakrifica juaj dhe e popullit tonë, ajo që na bëri aleatë të Perëndimit dhe që solli një fitore të përbashkët për të gjitha vlerat që përfaqësojmë. Kosova do të jetë përjetësisht mirënjohëse ndaj jush! Ju qëndroni përjetësisht si shtyllë e shtetit, që e kemi sot! Asnjë luftëtar i lirisë kurrë nuk do të jetë vetë. As këtu dhe as në Hagë”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se përkrahja për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së do të rritet për 50%.
“Familjarët e dëshmorëve nuk do të zgjedhin më në mes pensionit të moshës dhe atij të dëshmorit, por do t’i marrin të dyja. Veteranët më nuk do të kenë kufizime, por do të kenë mundësi të punojnë dhe t’i marrin edhe të ardhurat mujore nga shteti”, ka thënë Hamza.
Më 9 shkurt, Hamza u ka kërkuar veteranëve që të votojnë për një jetë më të mirë, për një Kosovë më të fuqishme dhe numrin 131.