Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se është më i mirë se kryeministri aktual, Albin Kurti, pasi tha se kudo që ka qeverisur ka dhënë rezultate më të mira.
Hamza tha se në përballje me Kurtin ka edhe ekip më të mirë, program të matshëm e racional.
“Mandati i parë është besim, por mandati i dytë e tutje do të jetë vlerësim. Do të vlerësohen për arritjet në ekonomi, për rezultate në arsim, gjendje në shëndetësi e mos të flasim për politikën e jashtme e asnjë anëtarësim në asnjë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar”, tha Hamza në Rubikon.
Kandidati i PDK-së për të parin e qeverisë foli edhe për atë se pse ai është kryeministër më i mirë se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se ka përvojë më të gjatë në institucione.
“Jam i sigurt se kam përvojë më të gjatë në institucione, në vendimmarrje dhe si rezultat, e njoh Kosovën para luftës, pas luftës, para pavarësisë dhe prej vitit 2000 kam kontinuitet pa shkëputje në nivel lokal e qendror dhe kjo ma jep avantazhin që me ditë dhe me pas vizionin më të qartë e të saktë për të ardhmen”, tha ai.
Për sa i përket kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, pavarësisht se për disa kohë ishte ministër i qeverisë së tij, Hamza tha se ai këtë herë nuk do të jetë në krye të qeverisë.
“Kam respekt për të kaluarën e Haradinajt dhe familjes së tij. Kanë kontribut të madh për lirinë e vendit. Kam punuar me të. Ka qenë kryeministër në një pjesë të mandatit, ku unë kam qenë ministër i Financave. Haradinaj këtë radhë nuk do të jetë kryeministër”, tha Hamza.
Ndërsa, kritika pati edhe për presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ku Hamza tha se në disa raste nuk e ka luajtur rolin e saj unifikues si presidente e vendit.
Ai tha se Osmani për disa vite me radhë, ka qenë blanko përkrahëse e politikave të Qeverisë Kurti.
“Mendoj që presidentja, derisa të jetë në këtë pozitë mund ta ketë bindjen e vet politike, por kur të kalon në këtë rol, duhet të sillet në përputhje me Kushtetutën dhe e barabartë për të gjithë. Në momente të caktuara është dashur ta marrë rolin që i takon si presidente”, tha ai.