Hamasi pranon marrëveshjen e Izraelit

Hamasi ka pranuar marrëveshjen me Izraelin, të negociuar nga Katari, e cila parashikon lirimin e rreth 50 pengjeve izraelite në këmbim të një armëpushimi tre-ditor në Gaza.

Përveç ndalimit të përkohshëm të operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, Izraelit do t’i duhet gjithashtu të lirojë disa gra dhe fëmijë palestinezë aktualisht në burgjet izraelite dhe të rrisë sasinë e ndihmës humanitare të lejuar në Gaza.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se “Izraeli është një shtet terrorist” dhe se “Hamasi është një parti politike që fitoi zgjedhjet në Palestinë”.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus shkroi në platformën X (ish-Twitter) se organizata humbi kontaktin me punonjësit e shëndetësisë në spitalin al-Shifa në Gaza pasi ushtria izraelite filloi atë që ai e quajti “një operacion i synuar” brenda objektit.

“Raportet e operacionit ushtarak në spitalin al-Shifa janë thellësisht shqetësuese. Kemi humbur sërish kontaktet me personelin shëndetësor në spital. Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të pacientëve”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Cisterna e parë që transporton karburant në Rripin e Gazës ka kaluar kufirin e Egjiptit me enklavën palestineze, sipas burimeve. Dëshmitarët okularë të cituar nga Reuters thanë se dy cisterna të tjera po prisnin në anën egjiptiane të pikës kufitare Rafah për të hyrë në Gaza.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan së fundmi se nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të pengjeve të mbajtura aktualisht në spitalin al-Shifa. Ata shtuan se “operacioni i synuar dhe i saktë” vazhdon në kompleksin spitalor, e cila mendon se mund të sigurojë informacione inteligjente mbi të burgosurit. Megjithatë, trupat gjetën armë dhe asete të Hamasit në zonë, gjë që, sipas Forcave izraelite, tregon praninë e grupit terrorist të Hamasit.

Ushtria izraelite hyri në spitalin më të madh të Gazës Al-Shifa. Në një deklaratë, ushtria izraelite thotë se po kryen një operacion kundër Hamasit në spitalin Al-Shifa.

“Bazuar në informacionin e inteligjencës dhe domosdoshmërinë operacionale, forcat IDF po kryejnë një operacion të saktë dhe të synuar kundër Hamasit në një zonë specifike të spitalit Shifa. IDF po kryen një operacion tokësor në Gaza për të mposhtur Hamasin dhe për të shpëtuar pengjet tanë. Izraeli është në luftë me Hamasin, jo me civilët e Gazës”, thuhet në deklaratë.

Ushtria e rrethoi objektin, në kuadër të ofensivës së saj tokësore kundër Hamasit. Autoritetet izraelite pretendojnë se militantët kanë kanë përdorur objektin për kryerjen e operacioneve të tyre të fshehta ushtarake. Por, duke marrë parasysh praninë e qindra pacientëve dhe anëtarë të personelit mjekësor brenda, autoritetet izraelite janë përmbajtur nga hyrja në spital.

Një dëshmitar okular brenda spitalit i thotë BBC-së se panë tanke dhe ushtarë komando që hynë në departamentin kryesor të urgjencës.