Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi përfundimisht ka ndarë rrugët me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Ai nëpërmjet një shkrimi të gjatë në Facebook që fillon me fjalët “Po z.Kurti, këtu ndahen rrugët tona përfundimisht”, Abazi ka bërë të ditur se nuk do të jetë më pranë kryeministrit të Kosovës.
Abazi ka thënë se Kurti në Bruksel është dakorduar me një marrëveshje në Bruksel e cila konzervon rolin e Kishës Serbe kundrejt komuniteteve tjera fetare dhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe të cilat sipas tij “e fundosin Kosovën”.
Ai ka thënë se Kurti është “vazhdimësia e së kaluarës” dhe jo ndryshimi.
“Dmth z. Kurti ju jeni vazhdimësia e së kaluarës, ju nuk jeni ndryshimi. Luftën për të eliminuar njerëzit potencial për të udhëhequr me vendin ata e bënë me tyten e pushkës dhe revolës duke i dërguar në varr, Ju keni adoptuar luftën speciale, ushtrinë e facebook dhe rrjetet sociale për të eliminuar, këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem. E ke rrethuar veten me njerëzit e pushteteve të kaluara, me vepra penale, nënshkrues të demarkacionit dhe marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ke përjashtuar aktivisitët dhe përkrahësit më të devotshëm dhe po i mbronë e po i mbanë afër njerëzit e korruptuar, ata që e shkatërruan urbanizmin, privatizuan e përfituan, dhanë leje për kompensim me villa.”, ka shkruar Abazi.
Postimi i plotë:
Po z. Kurti, këtu ndahen rrugët tona përfundimisht. Ti ke vazhduar në rrugën e njejtë me ata që janë opozitë- konfidenciale . Edhe ata flisnin për “fshisa kur pyeteshin për lisa”. Ju keni pranuar Zajednicën dhe jeni deklaruar në mënyrën më të pasinqertë! As autentike, as semantike por hipokrizi par-excellence. Së paku do e thoje hapur e në sy që e ke pranuar ose ta refuzoje me qartësi!
Ju jeni dakorduar me marrëveshjen kornizë që ka dy elemente fundosëse për Kosovën. Një konzervimi i rolit specifik të Kishës Serbe kundrejt komuniteteve tjera fetare dhe asociacionit apo zajednices së komunave me shumicë Serbe.
Dmth z. Kurti ju jeni vazhdimësia e së kaluarës, ju nuk jeni ndryshimi. Luftën për të eliminuar njerëzit potencial për të udhëhequr me vendin ata e bënë me tyten e pushkës dhe revolës duke i dërguar në varr, Ju keni adoptuar luftën speciale, ushtrinë e facebook dhe rrjetet sociale për të eliminuar, këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem. E ke rrethuar veten me njerëzit e pushteteve të kaluara, me vepra penale, nënshkrues të demarkacionit dhe marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ke përjashtuar aktivisitët dhe përkrahësit më të devotshëm dhe po i mbronë e po i mbanë afër njerëzit e korruptuar, ata që e shkatërruan urbanizmin, privatizuan e përfituan, dhanë leje për kompensim me villa.
Por le të mbetemi të marrëveshja: neni 7, neni 10 dhe neni 11 qartë përcaktojnë zajednicën:
Neni 7
⚫️Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.
Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
🔴Neni 10
Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.
Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.
🔵Neni 11
Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të aneksuar në këtë Marrëveshje.
Kushdo tjetër do të ishte i detyruar ndoshta të pranonte këtë marrëveshje, por jo Ju. Jo Kurti që ka udhëhequr një grusht njerëzish që kanë qenë të betuar me besë e deri në vdekje për të mos pranuar Serbinë dhe rolin e saj brenda. Disa edhe kanë vdekur për këtë gjë! Disa kanë vendosur gjithë kapitalin dhe kreditin politik për të mbrojtur ty dhe veprimet e tuaja.
➕Lexo: Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
➕Lexo: Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.
Sikur të kishim rezultate apo shenja të një suksesi të brendshëm në investime, hapje të vendeve të punës- ndalje të exodusit, shëndetësi të reformuar, arsim të reformuar, zhvillim të qëndrueshëm energjetik, mbrojtje të mjedisit nga shkatërrimi, ndalim të degradimit urban, ose një shenjë të vogël të reformimit të adminstratës dhe sistemit të drejtësisë, forcim e avancim të policisë e njësiteve apo pak më shumë dinjitet për punëtorët, ndoshta edhe do të faleshin mëkatet e dështimit dhe përmbysjes së bindjes dhe parimeve për dorën e Serbisë në Kosovë.
Përmbysjen e keni bërë duke e konfirmuar që jeni produkt i luftës së eliminimit, jeni zgjatja pas gjykatës speciale, jeni faza e re e tranzicionit të vjetër. Prioriteti kryesor është matja e opinionit publik dhe deliri për pushtetin. Pushtet që përdoret për të ushqyer egot, për të servilosur ata që ndjehen për herë të parë gjallë sepse si qenie politike nuk kanë ekzistuar dhe jashtë politikës do të ishin maksimumi sekser të akreditimit të universiteteve apo anëtarë të rinisë demokratike apo shfrytëzues të kartelave të Behxhet Pacollit. Kaq, këta janë njerëzit që ke përzgjedhur të bëhen fytyrat e përmbysjes së shpresës së madhe dhe transformimit të qeverisjes.
Në takimin e fundit para zgjedhjeve lokale i the grupit parlamentar: qetësisht po presim fitorën në zgjedhjet komunale për të marrë në dorë pushtetin që siguron ndryshimin e njerëzve. Dështimi në zgjedhjet lokale është fatura jote e papaguar! Në të ashtuquajtura zgjedhje të brendshme ju keni treguar qëllimin përfundimtar, ata që kanë kurriz e integritet gjejeni formën për t‘i lënë jashtë me çdo kusht qoftë edhe duke u kujdesur që personalisht të caktoni diagnosa për të anatemuar dhe stigmatizuar e më pastaj me profilet e ushtrisë fiktive online të shkatërrohen politikisht. Kokat e turkut të janë dashur për të mbuluar dështimin. Kjo mund të bëhet nga një mendje e korruptuar me fajllat e komunistëve. Servilët janë në rregull- Kadri Hazbiu, Beqir Balluku… Jo.
Deri tani teoria që të përfshishë njerëzit për t’i shkatërruar nga brenda të ka funksionuar, por kjo nuk shkon gjatë. Vrasjet politike janë instrument që funksionojnë shkurt, gjaku të ze, tradhëtia del- nuk rri dot e konzervuar. Zhurma e militantëve dhe përkrahja e servilëve zhduken si fluskë sapuni. Të parë janë më pak se sa simpatizantët e një klubi futbollistik e të dytët janë më shumë, ata të duan sepse e kanë parë që nuk keni aftësi as të i lëvizni nga “kullosa” ku kanë kullotur në kohën e pushteteve. Përkundrazi ju jeni bërë shërbëtorë në grazhdin e tyre, në konferenca e përvjetore që i ben për të krijuar përcepcion. Këto as nuk janë strategji e as përmbajtje e AQ me pak bindje. Vetëm përceptim dhe asnje gjë më shumë. Në anën tjetër këtë përceptim po doni ta ushqeni me sadakanë e 100 euroshit dhe ndihmat. Po i merrni nga populli për t‘i dhënë të njejtat, paratë e veta. Kjo nuk është ndonjë e arritur e as edhe politikë sociale, kjo është sadaka me pare të huaja.
Dy vite, as edhe një ligj, as edhe një strategji, as edhe një sukses në fushën e diplomacisë. Dy vite shterpësi totale dhe përceptime pa përmbajtje. Kështu përfundohet në pozita të krijuara nga diplomacia e Serbisë, merre ose lere! Kërkojmë falje nga Presheva, Bujanoci e Medvegja që nuk u bë reciprociteti edhe për ata…
Për drejtësi e pamë, shkarkimi i vetëm ishte për shkak të mendimit dhe kritikës,asnjë shkarkim për mospunë dështimet dhe korrupcionin.
Më vjen mirë që nuk jam pjesë e Komisionit që do të duhej t’i mbante tupanin e hipokrizisë për vallën e servilëve dhe pakurrizorëve!
Vazhdojmë kur të lodhen zhurmat!