Ministrja e Ekonomisë, Tregtisë, Industrisë, Punësimit, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari ka njoftuar se gjendja me furnizim me mallra është nën kontrollë.
Hajdari gjatë një konferencë për medie, tha se janë pranuar 1,000 thirrje nga ana e qytetarëve e që kanë të bëjnë me rritjen e çmimeve.
“Dua t’iu njoftoj se kemi angazhuar Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, atë të Rezervave Shtetërore, Inspektoriatin e Tregut dhe të Punës në zabtimin e masave të marra. Në këtë punë kemi nxjerr disa veprime që duhet t’i nxjerrim. Veprimi i parë është që në bazë të Ligjit mbi Tregun e Brendshëm, të marrin udhëzimet për një urdhëresë e cila është për mos rritjen e çmimeve, e që deri tash është menaxhar mjaftë mirë. Situata është nën kontrollë”, tha Hajdari.
Ajo tregoi se Inspektoriati i Tregut ka kryer 900 kontrolla në subjekte afariste, ku 30 prej të cilave u është shqiptuar gjobë për shkak të ngritjes së çmimeve.
“Që nga mbrëmë deri sot kemi pranuar mbi 1,000 thirrje, të cilat kryesisht ankesat kanë të bëjnë me rritjen e çmimeve, e në veçanti të atyre ushqimore. Inspektoriati i Tregut ka kryer kontrolla në 900 subjekte afariste dhe nga këto kemi gjetur 30 shkelje, kryesisht të rritja e çmimeve, e që janë marr masa sipas legjislacionit në fuqi. Inspektoriati i Tregut ka kryer 650 inspektime, ku shkeljet janë hasur në mungesë të pajisjeve personale mbrojtëse e në dezinfektim të hapësirave”, tha ajo.
Në fund, Hajdari tregoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me furnizuesit e rezervave shtetërore.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me furnizuesit e rezervave shtetërore dhe se situata është nën kontrollë, pra nuk kemi nevojë për panik, por të veprojmë sipas situatës që e kemi tani”, tregoi ajo.