Nuk është enigmë që Juvja është në kërkim të një sulmuesi për epokën post-Ronaldo apo për të zëvendësuar edhe Gonzalo Higuainin. Në krye të listës së dëshirave të bardhezinjve janë Milik dhe Icardi, por pa u ndier drejtori sportiv Paratici po punon për një goditje akoma edhe më të madhe.
Ndoshta jë menjëherë, por duke menduar për të ardhmën. Bëhet fjalë për talentin norvegjez të Dortmundit, Erling Haaland, i cili po mahnit mbarë opinionin futbollistik me rritjen e tij eksponenciale.
Norvegjezin tek Juventusi e kanë piketuar si pasuesin e Cristiano Ronaldos, kontrata e të cilit skadon në vitin 2022. Milik kërkohet menjëherë dhe më pas, në verën e vitit 2021 të gjitha bateritë do të shkarkohen për Haaland.
Një operacion jo shumë i vështirë për t’u mbyllur me sukses, pasi Haaland ka klauzolë largimi 75 milionë euro dhe marrëdhëniet e bardhezinjve me menaxherin e sulmuesit, Mino Raiola, janë të shkëlqyera. Gjithsesi, për Haaland duhet lëvizur shpejt, sepse edhe Reali i Madridit i është vënë pas dhe mund të ofrojë 100 milionë euro për kartonin e tij.