A mund të ketë një tjetër çarje? A mund të ketë shpërbërje të koalicionit bashkëqeverisës?
Pyetje të tilla mund të dukeshin irelevante deri dje, megjithatë çështja e pagave për mësimdhënësit mund t’i kthejë gjërat në drejtim të kundërt të akrepave të orës.
Kjo pasi, dy deputetë të Listës Guxo, Jeta Statovci e Haxhi Avdyli veçse kanë dalë kundër qeverisë sa i përket kësaj çështje.
Fillimisht, Statovci përmes rrjetit social “Facebook” tha se si partnerë në qeverisje me VV-në i bashkon vizioni i njëjtë që kanë, pra ai që shtetit tonë t’i japin të mbarën dhe shpresën për një të ardhme dhe jetë më të mirë, porse është kundër faktit që mos t’u lëshohen pagat mësimdhënësve.
“Sa i përket grevës së sindikalistëve, më vjen mirë që më në fund nxënësit i jane kthyer bankave shkollore. Por, nuk mund të pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator.Pavarësisht se a ishin të drejta kërkesat e tyre dhe bllokada që ata krijuan, atyre duhet t’u ekzekutohet paga, sidomos kur jemi në një situatë ku shumë familje përballen me rritje të çmimeve dhe po i afrohemi dimrit të ashpër”, shkroi ajo.
Nuk vonoi shumë dhe Statovci mori mbështetjen e bashkëpartiakut të saj, Haxhi Avdyli.
Ky i fundit, duke shpërndarë postimin e Statovcit tha se qëndron në të njëjtën linjë me kryetaren e degës së GUXO-s në Prishtinë.
“Edhe unë si deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Guxo , pjesë e grupit parlamentar të VV- së, pajtohem me konstatimin e koleges Jeta Statovci që duhet të kryhen pagesat e pagave të mësimdhënësve grevist.Greva shihet që ka pasur prapavijë politike, ku udheheqësit të SBASHK-ut devijuan tërësisht nga idetë sindikale. Por përkundër kesaj prapë mendoj që pagat duhet të paguhen”, shkroi ai mes të tjerash.
Jeta Statovci raportohet të jetë një nga deputetet më të afërta të presidentes Osmani, e cila kishte luajtur rol kyç në marrëveshjen për bashkëqeverisje, bashkëqeverisje kjo që ia siguroi asaj kolltukun e të parës së vendit.
Gjithsesi, nuk dihet nëse kjo qasje e tyre do të vazhdojë edhe më tutje apo jo, por ajo që tashmë dihet është fakti se deputetët nga radhët e GUXO po fillojnë ta kundërshtojnë Kurtin, që s’kishte ndodhur deri më tani.
Në ekzekutiv, nga GUXO janë zëvendës-kryeministrja Gërvalla dhe ministri Peci.
Kujtojmë se momentalisht, koalicioni qeverisës VV-GUXO, duke mos llogaritur minoritetet ka 57 deputetë, një më pak se që kishte para largimit të Kica-Xhelilit.
Kica-Xhelili javë më parë ndryshoi Grup Parlamentar, duke kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Se VV nuk qëndron mirë në qeverisjen e brendshme e dëshmon edhe deklarata e fundit e deputetit Fatmir Humolli.
Ky i fundit ka thënë se Murati është një drejtues dikasteri që ka shkaktuar shumë skandale konflikte në grupe shoqërore dhe për këtë kërkoi dorëheqjen e tij.
“Murati është personi që ka shkaktuar skandale më së shumti dhe konflikte në grupe shoqërore. Ai duhet të japë dorëheqje. Nëse vazhdon me këtë logjikë, kjo është në kundërshtim më misionin që ka marrë LVV që më kthy besimin e qytetarëve”, tha Humolli për Insajderin.