Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e guvernatorit e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ka përcaktuar listën e ngushtë të kandidatëve për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës
Sipas njoftimit të BQK-së, Shkëndije Himaj, Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu dhe Lulzim Ismajli janë ata që do ta pretendojnë pozitën e guvernatorit.
“Mbështetur në Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, si dhe në kriteret e përcaktuara në konkursin për plotësimin e pozitës së guvernatorit/es të Bankës Qendrore të Kosovës, Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën si më sipër, ka përcaktuar listën e kandidatëve për ta dërguar në Kuvendin e Kosovës, si në vijim: Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Shkëndije Himaj”, njofton BQK-ja, përcjell Telegrafi.
“Pas përfundimit të veprimeve procedurale të parapara me aktet juridike në fuqi lidhur me kandidatët e cekur më lartë, propozimi (lista e kandidatëve) do të procedohet sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës”, thekson njoftimi.