Gresa Bakraqi është padyshim atletja më e mirë në Kosovë, ndërsa viti 2022 për të ishte i përkshkruar më shumë rekorde, medalje dhe gara ndërkombëtare.
Në një intervistë për Telegrafin, Gresa ka folur për sukseset e vitit që lamë pas, ndërsa ka treguar edhe synimin që ka për këtë vit. “Viti 2022 mund ta cilësoj si vitin më të suksesshëm të karrierës time. Definitivisht ka qenë një kthesë e madhe dhe e suksesshme drejt rezultateve të atletikës në karrierën time, gjithashtu dhe për Federatën e Atletikës së Kosovës”, ka thënë fillimisht Gresa.
Këtë vit Gresa ka thyer disa rekorde, shumica prej tyre ishin të saj që i kishte vendosur më herët. Ajo ka folur për këto rekorde.
“Ky vit ka qenë viti i rekordeve mund ta quaj ashtu. 10 rekorde shtetërore, që janë kthyer 15-16 herë gjatë vitit, që i bie se të njëjtën disiplinë e kam thyer rekordin herë, pas çdo jave që vrapoja. Unë njihem si rekordmene e disiplinave të mesme dhe të gjata në Kosovë, pra nuk ishte ndonjë gjë e re pasi ishin të gjitha rekordet e mija dhe i menaxhoj shumë mirë se si duhet të thyen një rekord, pasi brenda tyre ka një punë të madhe dhe e di çfarë pune e madhe më pret për t’i thyer ato. Pra jam super e përgatitur edhe psiqikisht se çfarë duhet të bëj”, ka thënë ajo për Telegrafin.
Ajo këto rekorde i ka vlerësuar lartë, pasi i kanë sjell shumë pikë nga IAAF ku vlerësohen paraqitjet e atletëve, ndërsa si më të mirin e sheh atë për 1500 metra me pengesa që i siguroi pjesëmarrjen në gara në SHBA.
“Por të them të drejtën nuk kanë qenë rekorde sikurse një vit më parë. Kam qenë rekorde të një nivel tjetër, pra nivel super, me rezultate të mira me shumë pikë në IAAF”.
“Vështirë të them cili nga rekordet ka qenë më i miri, sepse të gjithë kanë pasur punën e lodhshme dhe përkushtimin maksimal dhe mbi te gjitha çdo rekord ka ndjesinë dhe nostalgjinë e vet që unë e përjetoj teje mase me emocion. Po e vlerësoj vetëm një më shumë se të tjerat, duke thënë se ai në 1500 metra më pengesa, pasi ishte dhe gara që u konfirmova të marr pjesë në Kampionatin Botëror në SHBA dhe arrita te jem atletja me më se shumti pikë në dy kategoritë e Përfaqësueses së Kosovës”, nënvizoi Gresa Bakraqi.
Pejania ishte atletja e parë që garoi në Beograd, ku aty nuk shkuan gjërat si duhet, por Gresa nuk u dorëzua dhe garoi me fanellën që shkruante përpara ‘KOS’ edhe pse kishte presione të mëdha që largonte ajo nuk pranoi.
“Beogradi, aq sa me lodhi psiqkisht aq edhe më forcoi si karakter në aspektin sportiv. Përvojë e vështirë ishte të them të drejtën, sepse isha e vetme ditën e garë me 6 apo 7 truproje që ishin serb e që u munduan me diplomacinë e tyre të më bënin të largoja fanellën me inicialet ‘KOS’, gjë që nuk e bëra, por ishte presion i madh për mua mbi dy minuta para garës të ballafaqohem me këto gjëra. Të them të drejtën kisha qarë në ato momente, pasi edhe po ndihesha e vetmuar në mes të Beogradit, por në anën tjetër ndihesha krenar që isha e vetmja që u futa deri aty”, tregon Gresa, i cili shtoi se ishte një anëtar i Kampionatit Botëror që iu kërkoi të më linin të qetë, pasi më këso sjellje iu tha që mund ta bënin vajzën të binte në depresion.
Ajo flet për garën dhe momentin që gazetarët e pyetën pas saj, por që e detyruan të largohet pa dhënë deklaratë.
“Dhe me pas unë dola lartë dhe vrapova si kosovare. Kur mbylla garën një gazetar më tha: “Ti si heroina”, por nuk më lanë të jepja përgjigje dhe me larguan. Gjithsesi ishte një hap i imi ndryshe nga hapat e tjerë qe kam pasur gjatë jetës, dhe ndihem vërtet e lumtur që ia dola”, ka thënë Bakraqi.
Në anën tjetër ajo mori pjesë edhe në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, ku edhe pse me shëndet jo të mirë doli dhe garoi.
“Orani, çfarë të tregoj për Oranin. Po vija pas 10 rekordeve shtetërore nga gara të ndryshme, ku kisha arritur në një pike që nuk do t’ia dilte askush të më lodhte aq edhe psiqkisht, pasi po fluturoja më formë fizike shumë të lart. Kisha një bindje që ma lexonin në sy të gjithë që Gresa do të shkëlqejë në Oran. Çdo gjë filloi mirë, vazhdoja stërvitjet, pushoja maksimalisht për garën time. Pas disa ditës sikur u zgjova shumë e lodhur, sikur të isha rrahur nga dikush, kisha dhimbje në trup, kokë, dhe as buka nuk po më hahej. Më beso që e kisha frikë që jam sëmur sa që nuk doja t’i thosha as trajnerit as prindërve se si po ndihesha dhe fillova duke i thënë vetes qe: “Jo Gresa, thjesht nuk ke fjetur mirë edhe të duhet të pushosh”. Adnani, trajneri im më thirrte në telefon, i thosha nuk po mundem me fol, më shkruajë sepse zëri me ishte shterur dhe më tradhtonte të flisja se e dija që Adnani e kupton që nuk është diçka në rregull”.
“Dhe fatkeqësisht gjendja ime veç bëhej dita e ditës më keq. Çdo anëtar i KOK-ut që më shihte më thoshte të mos garoja sepse mezi bukë haja, e lerë më të vrapoja ashtu për 6-7 ditë me dhimbje, temperaturë 40 graë, ndërsa të njëjtë kohë kisha edhe ethe. Por mbi të gjitha ashtu u futa në garë, edhe atë atomin e fundit që e kisha të rezervuar e dhashë aty, dhe pastaj nuk kisha më forcë as të ecja. Kam qëndruar në spital disa ditë duke marr infuzion që të kthej lëngjet që i kisha humbur dhe të rikuperohesha nga ajo lodhje maksimale që i bëra vetes”, rrëfen Gresa për Telegrafin.
Ajo flet për synimet që ka në të ardhmen, duke thënë se kërkon t’i kalojë limitet dhe të marr pjesë në gara të mëdha ndërkombëtare.
“E para me pëlqej pyetja që thatë synimi, sepse shumica më drejtohem me pyetje ëndrra jote, dhe unë mendoj që njerëzit nuk duhet të ëndërrojnë pasi është është me sy mbyllur dhe realiteti është me sy hapur. Ne duhet të kemi qëllime dhe synime për objektivat qe i vëmë vetes sado të vogla apo të mëdha qofshin ato për dikë tjetër. Unë qëllim parësor e kam t’i kaloj limitet e mija, çdo vit të jem me e mirë se sa një vit që e lë pas. Qëllim dhe fokus maksimal më kanë bërë të jem top në arenën ndërkombëtare dhe ta përfaqësoj Kosovën si është më së miri, ashtu siç sporti im ‘Mbretëresha e Sporteve’ e meriton. Unë e besoj që do arrij sepse mbi besimin kam punën dhe mbi punën kam fokusin, pra veten duke nisur nga dëshirat personale për jetën në listën e përkujdesjes e kam lënë goxha poshtë, nuk po merrem fare me veten dhe e vetmja gjë që po bëjë është sporti”, deklaroi Gresa.
Gresa dha një mesazh për femrat që duan t’i përkushtohen atletikës, duke thënë: “Në qoftë se dëshironi të krijoni një karakter aq të fortë të punës dhe jetës, merruni me sport, sepse aty mësoni rreth jetës, qoftë ajo organizim i ditës, qoftë mënyra e të menduarit kritik, respektimi i dëshirave tuja për të arritur, komunikimi (qasja me njerëzit) pasi në sport udhëton shumë dhe të njëjtën kohë njofton shumë njerëz të ndryshëm me super ambicie të mëdha dhe t’i arrin të mësosh se si duhet menaxhuar suksesi, dhe mbi të gjitha mëson kultura të ndryshe me sportin gjë që unë si person e vlerësoj tej mase të kesh njohuri rreth shumë gjërave, sepse në fund të fundit ti duhet të jesh e fortë dhe këtë gjë ta mundëson sporti, që ta mëson më së miri”.
Pas shumë sukseseve në vitin 2022, Gresa thotë se edhe viti 2023 do të jetë i njëjtë për të.
“Kam qenë fituese e shumë mitingjeve ndërkombëtare, fituese e Kampionatit Ballkanik në Rumani, ku ka qenë gara më e fort në histori të Ballkanit, kampione e Kosovës në disiplinat e mesme dhe të gjata, deri te gjysmë-maratona, fituese e shume garave rrugore të gjysmë-maratonave, pra për 8 javë reshtë i kam fituar 8 gjysmë-maratona në shtete te ndryshme. Dhe nëse viti 2022 e kam pasur çdo javë me rekorde, nuk do të jetë ndryshe as 2023 , ndoshta dhe më mirë besoj duke u bazuar me paraqitjet stërvitore që i kam”, ka thënë ajo për fund. /Telegrafi/