Hashim Thaçi dhe Donald Trump e ndanë të njëjtin prokuror – Jack Smith. Derisa rasti për Trump u pushua pas zgjedhjes president, Administrata e tij tash të njëjtën po e kërkon edhe për Thaçin. I emëruari i Trump për misione speciale, Richard Grenell, dje në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës kërkoi lirimin e Thaçit, duke e përshkruar gjykimin e tij si “padrejtësi të rëndë”. Pos kësaj, ish-Kryeministrit dhe Presidentit të Kosovës në Ditën e Pavarësisë iu referua si ati themelues i shtetësisë së Kosovës.
Ish i dërguari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka uruar dje Kosovën për 17 vjet pavarësi. Megjithatë, ai nuk ishte i kënaqur që Hashim Thaçi, të cilin e quajti “at themelues” të Kosovës gjendet prapa grilave dhe jo në festë në Prishtinë.
Grenell për këtë “padrejtësi të rëndë” bëri fajtor edhe europianët edhe institucionet e Kosovës, ndërsa në fund ia la emrin e prokurorit Jack Smith.
“I uroj të gjithë miqve të mi në Kosovë një festë të gëzueshme dhe të sigurt në 17-vjetorin e pavarësisë së tyre. Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Ati themeltar i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo prapa grilave në Hagë. Europianët nuk kanë arritur të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në 5 vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – për shkak të politikës. Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund. #JackSmith”, shkroi Grenell.
Thirrjes së Grenell për lirimin e Thaçit iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama, i cili s’e dha për herë të parë këtë mendim.
Ai shpërndau postimin e Grenellit në X, duke shkruar: “Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë!”.
Grenell edhe para se të merrte post në Adminsitratën e re Trump kishte avokuar për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Po aq ashpër kishte folur edhe kundër prokurorit Jack Smith.
Një vit më parë në Top Channel, Grenell, duke u pajtuar me Ramën mbi këtë çështje, kishte thënë se ajo çka kishin bërë europianët ishte skandaloze.
“Kryeministri Rama ka folur shumë hapur për z.Hashim Thaçi dhe çfarë po bëjnë europianët në gjykatën e drejtësisë në Hagë. Ai e ka quajtur Thaçin peng, dhe kjo që po bëjnë europianët është skandaloze. Duhet të jemi të aftë e të shohim përpara. Duhet ta lirojnë Thaçin, duhet ta pranojnë se çështja e Jack Smith ishte politike. Europianët duket sikur po bëjnë një punë të pistë për shkak të politikës”, kishte thënë Grenell.
Duke folur për deklarimet e Grenellit, analisti i njohur Mentor Nazarko tha se sinjalet e Grenell janë konstante.
“Ka disa shenja që konvergjojnë dhe duhet të vijnë nga dy fronte, edhe nga fronti i brendshëm kosovar dhe nga fronti ndërkombëtar, ku kemi këto sinjale të Grenell, që janë konstante – për zhbërjen e Speciales që sabotoi Marrëveshjen e Uashingtonit dhe kishte në krye Prokurorin e Trump – Smith: Po ashtu duhet të ketë akt juridik nga brenda se zhbërja, rimodelimi i një institucioni si Gjykata Speciale duhet të vijë nga vetë institucionet e Kosovës, pasi ajo është themeluar prej tyre”, theksoi Nazarko.
“Edhe shenja tjetër, është edhe ajo nga Shqipëria: vizita e Ramës në dhjetor 2024, mesazhet në Parlamentin e Kosovës ka qenë për të sponsorizuar një iniciativë të tillë”, shtoi ai.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar financohen kryesisht nga Bashkimi Europian, ndërsa SHBA-ja ka kontribuar duke dërguar një pjesë të stafit në gjykatë.
Prokurori amerikan Jack Smith, i cili kishte qenë prokuror i nivelit të lartë në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, mori detyrën si kryeprokuror në Prokurorinë e Specializuar në Hagë në shtator të vitit 2018 dhe kaloi dy vitet e ardhshme duke vazhduar hetimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Por, në nëntor të vitit 2022 Jack Smith la pozicionin e tij në Hagë për t’u bërë Këshilltar Special i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së për të mbikëqyrur dy çështje të Departamentit të Drejtësisë në lidhje me Trump – një për grumbullimin e dyshuar të dokumenteve të klasifikuara dhe tjetri për një përpjekje të supozuar për të ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve amerikane të vitit 2020.
Të dyja rastet rezultuan në kallëzime penale kundër Trump, i cili u deklarua i pafajshëm dhe kërkoi t’i shpallte ndjekjet penale si të motivuara politikisht.
Çështjet e Smith kundër presidentit u mbyllën vitin e kaluar pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale. Prokurorët shkruan se rregulloret e Departamentit të Drejtësisë ndalojnë ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.
Në tetor të 2024-ës, Donald Trump tha se ai do të përdorte kompetencat presidenciale për t’i dhënë fund hetimit të Jack Smith në çështje të shumta penale që ai ka ngritur kundër ish-presidentit, duke premtuar se do të shkarkojë prokurorin special që e ka paditur atë për akuza të shumta penale.
“Oh, është kaq e lehtë. Është kaq e lehtë”, tha Trump kur u pyet nëse do ta shkarkonte Jack Smith.
“Do ta pushoja brenda dy sekondave”, tha Trump.
Megjithatë, Smith nuk e priti që Trump të hynte në zyrë. Ai dha dorëheqje në janar para se Trump të betohej.
Derisa kërkesat për lirimin e Thaçit u bënë një ditë më parë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për Thaçin dhe Veselin, të cilët akuzohen për krime lufte.
Thaçi sot s’ishte prezent në seancën në Hagë për arsye shëndetësore. Mbi gjendjen e tij refuzoi të flisnin Dhomat e Specializuara për “arsye të privatësisë”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza ku ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.