I dërguari Special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ndaj zyrës së kryeministrit, rreth përmbajtjes së telefonatës që kishte bërë me Kurtin.
Erzen Vraniqi, këshilltar i Kurtit, të mërkurën përmes një shkrimi në Facebook, kishte njoftuar se me zyrtarët amerikanë Kurti ka biseduar që ndihma nga SHBA-ja nuk do të ndalet dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon, shkruan Telegrafi.
“Gjatë bisedës së djeshme telefonike të Kryeministrit Kurti me Ambasadorin O’Brien dhe Ambasadorin Grenell ata nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova dhe se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për vendin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon. Në fund të bisedës, të dyja palët janë pajtuar që ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, kishte shkruar Vraniqi.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Grenell, duke i quajtur të pavërteta.
Përmes një shkrimi në Twitter, i dërguari i Trumpit ka thënë se Kurtit ia ka bërë të qartë se tarifa është duke dëmtuar ekonominë e Kosovës.
Po ashtu Grenell, ka thënë se SHBA nuk do të çojë dëm investimet amerikane nëse qeveria aktuale vazhdon të veprojë në këtë mënyrë.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ne i kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm, janë duke dëmtuar ekonominë e Kosovës – dhe SHBA’ja nuk do t’i çonte dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Ndryshe, javën e kaluar kryeministri Kurti bëri të ditur se me 15 mars taksa do të largohet pjesërisht, ndërsa nëse nuk vepron Serbia dhe BE-ja, taksa rikthehet sërish 100 për qind me 15 qershor.