Grainca: PDK-ja nuk më ofroi përkrahje, te VV-ja e shoh mundësinë të zhvillohem

Deputetja e re e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca, ka thënë se është larguar nga Partia Demokratike e Kosovës pasi nuk gjeti përkrahje nga asnjë nivel i kësaj partie.

Grainca shtoi se kalimi i saj në Lëvizjen Vetëvendosje i ka hapur rrugë zhvillimit të saj si politikane.

“Largimi nga PDK-ja ka qenë për shkaqe politike. Nga prezantimi i emrit tim në kryesi (të PDK-së, dega Ferizaj) e deri më tani, nuk kam gjetur përkrahje. E gjithë kjo për shkak të moshës si dhe mungesës së përvojës në sferën e politikës. E përveç kësaj, edhe për shkak që nuk kam qenë pjesë e taborëve politike të mirë-vendosura. Që nga fillimi më kanë neglizhuar si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror, duke mos më ofruar mundësi për zhvillim si një politikane e re dhe si person që përfaqëson rininë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo kohë më ka ndihmuar të reflektoj dhe shoh Lëvizjen Vetëvendosje, me moshën mesatare më të re dhe pjesëmarrjen më të madhe të grave, mundësi më të mirë të zhvilloj dhe avancoj qëllimet për një shtet dhe shoqëri të prosperuar“, thuhet në reagimin e saj.

Grainca u shpreh se ka qenë vullnet i elektoratit të saj që ajo të marrë pjesë në seancën e djeshme për votimin e presidentit.

“Me zhvillimet e fundit për zgjedhje të presidentit, në vazhdimësi kam pasur kërkesa të shumta nga elektorati që më ka zgjedhur, që të marrë pjesë në seancën parlamentare për zgjedhje të presidentit. Mesazhi i tyre i qartë ka qenë që të marrë pjesë sepse nuk duan të ketë zgjedhje sërish. Mbajtja e zgjedhjeve do të nënkuptonte zgjatje e jetës së pandemisë, përgjigje jo adekuate ndaj rënies ekonomike, dhe si rezultat izolim të Kosovës, jo vetëm për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave por edhe për shkak të pandemisë. Prandaj, unë kam vendosur të dëgjoj elektoratin tim, dhe të marr pjesë në seancën e së dielës përkundër faktit që veçse ishte siguruar kuorumi“, shtoi ajo.

Grainca ndërkohë ka thënë se akuzat e PDK-së që kinse ajo ka përfituar financiarisht, janë shpifje dhe mundësi për të mos kërkuar përgjigje të vertetë.

Deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës të dielën mori pjesë në seancën e votimit të presidentit, dhe më vonë, kryeministri Albin Kurti e njoftoi si deputeten më të re të Lëvizjes Vetëvendosje.