Grabitja e armatosur te Albi Mall, ku u plagos një person, Prokuroria jep detaje

Një person është plagosur sot rreth orës 10:30 në një grabitje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon i cili transportonte para në lagjen Veternik të Prishtinës.

Lidhur me këtë rast në një përgjigje për Telegrafin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë thënë se deri më tani nuk kanë ndaluar ndonjë person të dyshuar.

Siç thonë nga Prokuroria ende nuk kanë të dhëna të sakta në lidhje me rastin.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë se Prokurori i çështjes deri më tani nuk ka ndaluar asnjë person. Për më shumë informacione ju njoftojmë në fazat mëtutjeshme sepse ende nuk kemi të dhëna të sakta lidhur me rastin  në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Ndryshe, personi i plagosur është në gjendje të rëndë shëndetore dhe është duke iu nënshtruar operacionit në QKUK.

Ndërkaq, sot një person ka mbetur i plagosur rreth orës 10:30 pas një grabitje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon i cili transportonte para në lagjen Veternik të Prishtinës.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Telegrafin tha se: “Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para.

Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë,  janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”.