Autori i krimit të rëndë në plazhin e Potamit, Arjan Tase është marrë në pyetje nga oficerët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Tase ka deklaruar se në momentin kur ka goditur vajzën gomonia ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend dhe ka goditur vajzën 7-vjeçare.
Në dëshminë e tij Tase ka deklaruar se në mëngjes kishte shkuar me makinë në Porto Palermo për të marrë aty gomonen dhe se mjetin ia kishte marrë djalit të xhaxhait, por ka deklaruar se edhe vetë kishte leje drejtimi të mjeteve lundruese.
Tase kishte udhëtuar me gomone nga Porto Palermo në drejtim të Potamit ku do merrte gruan dhe fëmijët për t’i nxjerrë shëtitje në det me gomone.
Ndryshe, një fëmijë 7 vjeç ka ndërruar jetë të martën në plazhin e Potamit, në Himarë pasi u përplas nga një skaf në breg të detit.
Policia kishte thënë se ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 kur shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë ka goditur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje.
“Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij”, kishte sqaruar policia.
Ndërkaq, kjo është hera e tretë brenda kësaj vere që shënohen incidente me mjetet lundruese në plazhet e vendit.
Në korrik një çift u goditën nga një gomone në plazhin e Jalës, teksa mjeti lundrues tentoi të dilte në breg. Për pasojë çifti i pushuesve Agostin Sefa, 31 vjeç dhe E. GJ., 25 vjeçe, morën lëndime.
Dy ditë më vonë një gomone goditi një fëmijë 7-vjeçar. I mituri mori plagë të rënda dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore. /BallkanWeb/