Mediumi i njohur sportiv “Goal” në një listë të top-100 lojtarëve që duhet të përcillen me vëmendje nga adhuruesit e futbollit në Kampionatin Evropian “2020” ka përfshirë edhe dy yjet shqiptare të Zvicrës, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.
“Euro 2020” do të nisë këtë fundjavë. Zvicra është pjesë e Grupit A bashkë me Turqinë, Italinë e Uellsin.
Xherdan Shaqiri është përfshirë në këtë listë me numrin 74. Për të “Goal” ka thënë se “mund të jetë figurë periferike në Liverpool, por te Zvicra është një nga yjet e padiskutueshme”.
“Kjo ishte theksuar në Euro 2016, kur realizoi golin e jashtëzakonshëm me gërshërë ndaj Polonisë. I shpejtë, teknik e fizikisht i fortë, ai pëlqen të luajë në krahun e djathë dhe të godasë fuqishëm me të majtën, në një tendencë që ia ka vënë nofkën ‘Messi Alpin’”, ka shkruar “Goal” për të.
Xhaka, si i 66-i, është përmendur si “një nga burimet pozitive të Zvicrës”.
“Në prag të largimit nga Arsenali 18 muaj më parë, mesfushori është kthyer në pjesë kyçe të ekipit të Mikel Artetas, madje duke ndërruar edhe pozicionet në disa raste. Është edhe më i rëndësishëm për Zvicrën, për çka është kthyer në shkëmb në qendër të fushës”, thuhet në përshkrimin për Xhakën.