Janë bërë gati dy muaj prej se gjykatat në Kosovë janë duke punuar me kapacitete të kufizuara për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, e kjo situatë mund të zgjasë deri në fillim të muajit qershor.
Që nga dita 16 mars kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim që të kufizohet aktiviteti brenda gjykatave, këto institucione kanë trajtuar vetëm çështje urgjente dhe si pasojë janë anuluar të gjitha seancat që nuk paraqesin urgjencë.
Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, aktualisht gjykatat janë të hapura vetëm për çështje urgjente si sigurimi i prezencës së të pandehurit, lëndë të dhunës në familje, lëndë të tjera penale, kundërvajtje dhe lëndët për të miturit.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht pandemisë, sistemi gjyqësor ka arritur që të trajtojë pa ndonjë pengesë rastet që kanë pasur urgjencë.
Sa i takon rikthimit në normalitet, Çoçaj, thotë se kjo nuk varet krejtësisht nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, pasi duhet pasur parasysh vendimet që nxjerrin Ministria e Shëndetësisë si dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
“Jemi duke e shqyrtuar mundësinë që të rifillojmë me disa nga veprimtaritë gjyqësore për shkak se nëse e shohim vendimin [e qeverisë], ende liria e lëvizjes është e kufizuar ashtu siç është e përcaktuar me vendim, një orë e gjysmë para dite, një orë e gjysmë pasdite dhe gjithashtu thirrjet në atë vendim janë që të respektohet distanca e shumë e shumë masa të tjera”, thotë Çoçaj.
Sipas tij, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të presë vendimet e reja të qeverisë të cilat pritet të merren më 18 maj sa i takon masave për kufizim të lëvizjes së qytetarëve. Çoçaj nuk është shumë optimist se do të ketë normalitet para datës 1 qershor.
“Normal, tash duke pasur parasysh që nuk është punuar në këtë kohë, një numër i caktuar i lëndëve do të jetë pak më i madh, por ne po shpresojmë që më 1 qershor nëse vazhdon që të bie numri i të infektuarve, atëherë po shpresojmë që jo vetëm gjyqësori, por krejt institucionet të fillojnë të punojnë normalisht”, tha Çoçaj.
Përkundër kapaciteteve të kufizuara nëpër gjykata, Çoçaj thotë se gjatë kësaj periudhe të pandemisë është punuar në përfundimin e disa lëndëve, pasi gjyqtarët kanë nxjerrë vendime në disa raste kur nuk ka pasur nevojë që të jenë palët prezentë.
Me veprimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës nuk pajtohet avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, e cila thotë se ky institucion duhet të ketë një strategji të qartë të rikthimit në normalitet.
Gashi-Bytyqi thotë se sistemi gjyqësor është dashur të kthehet në kapacitete të plota, pasi sipas saj, shumë qytetarë janë duke e pësuar për shkak të prolongimit të lëndëve të tyre. Ajo thotë se gjykatat kanë hapësira të mjaftueshme për të menaxhuar me sukses distancën fizike mes personave që marrin pjesë në gjykime.
Ajo propozon që fillimisht gjykimet të mbahen pa praninë e publikut, duke zvogëluar kështu mundësinë e përhapjes së koronavirusit.
“E kuptoj shqetësimin për COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi], mirëpo nëse mjekët, dalin ballë për ballë me virusin, policët, gazetarët, institucionet e pastrimit, farmacistët, personat që punojnë nëpër markete, cili është privilegji i tyre [ gjyqtarëve] që ata të rrinë komod në shtëpi, ta marrin pagën dhe gjithë ato kushte të mira që i kanë të punës, zyrën, sallën. Ne mund të zhvillojmë gjykime sepse ka mundësi që gjykimi të jetë i mbyllur për publikun dhe të krijohet distanca e nevojshme brenda sallës e jo t’i lënë ashtu njerëzit. Edhe ashtu ka pasur shumë zvarritje të lëndëve”, thotë avokatja Gashi-Bytyqi.
Sipas saj, shumë persona janë duke qëndruar në burgje duke shpresuar në zhvillimin e seancave gjyqësore për rastet e tyre.
Sipas avokates Gashi-Bytyqi, periudha e pandemisë ka shkaktuar probleme sidomos te kategoria e personave në paraburgim si dhe të personave që presin zgjidhje në aspektet martesore siç janë divorcet, caktimi i kujdestarisë si dhe alimentacioni për fëmijët.
Rreze Hoxha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike mendon se kufizimi i aktiviteteve të gjykatave në Kosovës ka qenë në linjë me vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Megjithatë, Hoxha thotë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet që sa më shpejt të krijojë një strategji përmes së cilës do të parandalohet mbingarkimi i sistemit gjyqësor si dhe të parandalohet parashkrimi i shumë lëndëve.
“Domosdoshmërisht do të duhej që të fillonte sistemi gjyqësor paralelisht me lehtësimin tjetër të kufizimeve të paralajmëruar nga qeveria. Kjo ngase nëse vazhdon situata siç është tani rrezikojmë që të shtohet numri i lëndëve të pazgjidhura, që do të thotë, do të ballafaqohemi edhe njëherë më një problem siç është grumbullimi i lëndëve dhe njëkohësisht mohimi i qytetarëve në qasje në drejtësi, e që pastaj reflektohet në shkelje të drejtave të cilat ju garantohen atyre”, tha Hoxha.
Funksionalizimi i gjykatave është jetike edhe për pengimin e parashkrimit të lëndëve, thotë Hoxha. Sipas saj, ekziston një numër lëndësh që rrezikojnë të parashkruhen në rast se gjykatat vazhdojnë të mos mbajnë seanca gjyqësore.
Përmes një njoftimi të datës 6 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar së po trajton me prioritet lëndët e dhunës në familjes.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe degët në Podujevë, Lipjan, Graçanicë dhe Drenas në periudhën kohore prej 16 mars deri më 30 prill, 2020 janë pranuar gjithsej 41 raste të dhunës në familje.
Sipas kësaj gjykate, lëndët e dhunës ne familje konsiderohen urgjente, prandaj pavarësisht situatës pandemike dhe aktiviteteve të limituara të gjykatës, këto lëndë janë trajtuar me prioritet.
Në raportin e punës së kësaj gjykate, përfshirë edhe degët e saj, për periudhën kohore 16 mars deri me 30 prill, rezulton të jenë përfunduar 925 lëndë, ndërsa janë pranuar gjithsej 1,705 lëndë të të gjitha lëmive, ku të gjitha janë regjistruar dhe janë ndarë te gjyqtarët për procedim. /Rel/