Gjykata Supreme vendos që Hani i Elezit të mos shkojë në rivotim

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që komuna e Hanit të Elezit të shkojë në rivotim.

Supremja e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit të PDK-së për kryetar të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka anuluar vendimin e PZAP-së, duke e kthyer çështjen në rivendosje” thuhet në vendimin e Supremes, njofton Klankosova.tv.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte anuluar votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Sipas PZAP-së, zgjedhjet janë anuluar për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit dhe mbështetjes së votuesve.

Kandidati i PDK-së, sipas rezultateve të KQZ-së, për zgjedhjet e 17 tetorit ka marrë me 50.98% të votave.