Gjykata Supreme urdhëron Trumpin t’i zhbllokojë pagesat për ndihmat e huaja

Gjykata Supreme me rezultat të ngushtë të mërkurën ka urdhëruar administratën Trump të pajtohet me vendimin e një gjykate federale për t’i zhbllokuar pagesat për ndihmat e huaja.

“ABC News” raporton se administrata Trump duhet të paguajë afro 2 miliardë dollarë për organizatat jofitimprurëse për punët që kanë kryer deri tash.

Supremja vendosi 5:4 në favor të zhbllokimit të pagesave për ndihmat e huaja.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së, më 24 janar, pati urdhëruar ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane si pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për t’i përshtatur këto programe me qëllimet e tij të politikës së jashtme.

Këto programe zbatohen kryesisht përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.

USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.