Gjykata Supreme ia vërteton dënimin Skender Krasniqit, për vrasjen nga pakujdesia të djalit të tij

Gjykata Supreme e Kosovës e ka vërtetuar me burgim prej tre vjet e pesë muajsh  për Skender Krasniqit, për vrasjen nga pakujdesia të djalit të tij Albert Krasniqi.

Supremja në vendimin e publikuar më 11 maj e konsideron si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë që ishte ushtruar nga avokatët Ramiz dhe Fanol Krasniqi kundër aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa e përbashkët për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësve të të dënuarit S.K. e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë Departamenti i Përgjithshëm P.nr.3269/2021 të datës 03.12.2021 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës PA1.nr.31/2022 të datës 25.02.2022”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme përcjell Klankosova.tv.

Avokatët Ramiz dhe Fanol Krasniqi, kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal.

Avokatët kishin propozuar që Gjykata Supreme e Kosovës, ta aprovojë si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, t’i anuloj aktgjykimet e kundërshtuara dhe çështjen ta kthej në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë apo gjykatën e shkallës së dytë ose të ndryshojë aktgjykimet e kundërshtuara dhe i dënuari të lirohet nga dënimi bazuar në dispozitën e nenit 74 par.1 nënpar.1.1 të KPRK-së, pasi që sipas tyre ekzistojnë bazat e posaçme të lirimit nga dënimi për veprën penale nga pakujdesia.

Sipas aktgjykimit të Supremes pas shqyrtimit të shkresave e lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve në kërkesë ka gjetur se kërkesa është e pabazuar, ngase sipas Supremes aktgjykimet kundër të cilave është parashtruar kërkesa, nuk përmbajnë shkelje për të cilat pretendohet.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, përkundër faktit se në rastin konkret qëndrojnë pretendimet se vepra penale është kryer nga pakujdesia dhe se pasojat e kanë goditur të dënuarin pasi që ka humbur djalin e tij, megjithatë bazuar në dispozitën e nenit 74 par.1 nënpar.1.1 të KPRK-së, është përcaktuar se kjo dispozitë nuk e ka karakterin imperativ, përkatësisht i ka dhënë diskrecion gjykatës që në këto raste varësisht prej rrethanave edhe të mund të aplikohet”.

Aktgjykimin e plotë i Gjykatës Supreme mund ta gjeni KËTU