Është arrestuar ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj. Arrestimin e tij e ka konfirmuar Komuna e Malishevës në një postim në Facebook.
Kilaj është arrestuar pasi që Gjykata Speciale të enjten ka bastisur shtëpinë e tij.
Në postimin e Komunës së Malishevës është shprehur shqetësim për arrestimin e ish-kryetarit Kilaj.
“Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panik dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve”, thuhet në këtë postim.
Në këtë postim kërkohet nga Gjykata Speciale “të ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve”.
“Ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare, madje lufta e popullit të Kosovës, është lufta më e pastër që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit. Ne kërkojmë që Gjykata Speciale, të ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve dhe në të njëjtën kohë, kërkojmë që kjo Gjykatë dhe gjykatat tjera kompetente, përfshi edhe Tribunalin e Hagës, që të merret me ndjekjen, arrestimin dhe dënimin e autorëve të vrasjes së afër 400 civilëve të Komunës së Malishevës gjatë viteve 1998-1999 nga ushtria dhe policia e shtetit të Serbisë”, thuhet në postim.
Turjet thuhet se “Isni Kilaj, dhe të gjithë bartësit e luftës çlirimtare, janë të pafajshëm dhe të gjitha këto veprime të gjykatave, i konsiderojmë si veprime politike, që për qëllim kanë njollosjen e luftës për çlirim”.
“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Kilaj dhe të krerëve të luftës së UÇK-së dhe kërkojmë të ndërpriten këto veprime të turpshme. Ne besojmë në drejtësi, por drejtësi duhet të ketë për të gjithë. Lufta e UÇK-së, është një luftë e njohur nga të gjithë, luftë e cila i ka sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kilaj në vitin 2019 ishte ftuar në Hagë për intervistim, megjithatë nuk pati specifikuar se në çfarë cilësie qe thirrur.