Kërkesa e drejtorit të shkarkuar të KEK-ut, Njazi Thaçi për masë të sigurisë është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Refuzohet si i pabazuar propozimi për caktimin e masës së sigurimit të propozuesit Njazi Thaçi, nga Prishtina, rr. “Dëshmorët e Kombit”, nr. 80, me të cilën ka kërkuar që të “caktohet masa e sigurisë, ashtu që urdhërohet kundërshtari i sigurimit, që të anulojë konkursin publik për kryeshef ekzekutiv të KEK SH.A., të shpallur më 12.05.2020, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë nga Gjykata, lidhur me kërkesëpadinë””, shkruhet në vendimin e Gjykatës, të cilin e ka siguruar KOHA.
Thaçi ka kërkuar që vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të konstatohet i kundërligjshëm dhe të anulohet.
Krahas këtyre kërkesave ka kërkuar edhe kthimin në vendin e punës në pozitën e kryeshefit ekzekutiv dhe kompensimin e pagës dhe beneficioneve nga pozita e punës.
Gjykata konfirmon se krahas padisë Thaçi ka parashtruar edhe propozim për caktimin e masës së sigurimit, të cilën Gjykata e ka refuzuar si të pabazuar.