Gjykata Themelore në Ferizaj ka bërë të ditura detaje në lidhje me vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, teksa ka njoftuar se të dyshuarit tjetër Arbër Sejdiu, i cili e dërgoi bashkë me Dardan Krivaqën, tashmë të ndjerën në Emergjencën e Ferizajt, i është caktuar masa e paraburgimit.
“Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S. shtetas Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të kryer në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.
Gjykata ka bërë të ditur se “Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit D.K., me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta-gjelozie, për shkak se i pandehuri D dyshonte se e ndjera M.O. e kishte tradhtuar me djalin e dajës së të pandehurit D., për këtë arsye i pandehuri D, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, e pastaj edhe dhunën fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë”.
Tutje, sqarohet në komunikatë se gjatë gjithë kohës, “i pandehuri A.S., gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në komunikatë.
“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit të parapara në nenin 187 paragrafi 1 nen paragrafi 1.1 të KPPK-së, nga fakti se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer vepren penale për të cilën dyshohet dhe atë në bashkëkryerje me të pandehurin D.K që dyshimi i bazuar rrjedh nga provat materiale të grumbulluara deri në këtë fazë të procedurës, të evidentuara edhe në raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, nga deklarata e vet të pandehurit A.S. e dhënë deri në këtë fazë të procedurës penale”, thuhet tutje në komunikatë.