Gjykatësi australian, Anthony Kelly ka thënë të hënën, 10 janar, se tenisti serb, Novak Gjokoviq do të lirohet nga qendra e ndalimit, duke e konsideruar “të paarsyeshëm” vendimin e Qeverisë për të refuzuar hyrjen e tij në Australi.
Sipas gjyqtarit Kelly, Gjokoviq duhet të lirohet menjëherë pas vendimit të gjykatës dhe të gjitha dokumentet, përfshirë pasaportën dhe dokumentet e udhëtimit do t’i kthehen atij.
Kështu, Gjokoviq mund të ketë mundësi që të luajë në turneun Australian Open dhe të fitojë titullin e 21-të Grand Slam.
Megjithatë, avokatët nga Qeveria federale i kanë thënë gjykatës se ministri për migrim është duke rezervuar të drejtën e tij personale për të refuzuar sërish vizën e tenistit.
Gjokoviq, 34-vjeçar, është mbajtur në një qendër ndalimi për migrantë prej 6 janarit.
Ai nuk është parë në publik prej kur ka shkuar në Australi.
Avokatët e tij kanë thënë se Gjokoviq është infektuar së fundi me koronavirus dhe ai dokument i ka siguruar shmangien nga rregulloret për koronavirus në Australi.
Sipas rregulloreve australiane, secili i huaj që hyn në këtë shtet, duhet të jetë i vaksinuar me dy doza kundër koronavirusit.
Megjithatë, Qeveria australiane kanë thënë se të huajve nuk ju garantohet hyrja në Australi, gjë që ka rritur dilemat nëse Qeveria do ta ndalojë atë sërish dhe ta dëbojë nga shteti.
Novak Gjokoviq ka folur vazhdimisht kundër vaksinimit kundër koronavirusit, mirëpo nuk e ka bërë të ditur kurrë statusin e tij të imunizimit.
Ai ka siguruar një përjashtim mjekësor nga dy panele mjekësore të organizatës që drejton turneun e tenisit dhe shteti i Viktorias.
Njoftimi i Gjokoviqit se ka siguruar një përjashtim dhe se do të niset drejt Melbërnit, është pritur me zemërim nga disa australianë, të cilët kanë qenë shumë të kufizuar prej kur ka shpërthyer pandemia.