Qerim Kelmendi, ish-ushtar i UÇK-së, është vrarë dje në fshatin Zahaq të Pejës.Policia dhe Prokuroria janë deklaruar se nuk ka të dyshuar për rastin në fjalë, teksa familjarët e të ndjerit kanë filluar të drejtojnë gishtin nga persona, që sipas tyre mund të jenë vrasësit e Qerimit.Një ngjarje makabre ka tronditur mëngjesin e djeshëm Kosovën. Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Qerim Kelmendi, u gjet i vdekur brenda një veture të djegur në fshatin Zahaq të Pejës.
I ndjeri, i cili ishte edhe anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Dega brenda Kosovës, dyshohet se fillimisht u vra e më pas u dogj brenda veturës “VW Pasat” me targa vendore. Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, e cila fillimisht është informuar vetëm për djegien e një veture, pa e ditur që brenda saj është trupi i ish-luftëtarit të UÇK-së. Kjo ngjarje e rëndë ka ngjallur reagime të fuqishme në vend, teksa janë edhe familjarët e tij ata të cilët tashmë kanë filluar të drejtojnë gishtin nga të dyshuarit.
Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka dhënë detaje për ngjarjen makabre që tronditi mëngjesin e djeshëm qytetin e Pejës. Sipas Policisë, trupi i tashmë të ndjerit Qerim Kelmendit është gjendur në një veturë, e cila ishte e djegur.
“Më datën 27.02.2020, rreth orës 01:27, Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq – Pejë, në një rrugë, është duke u djegur një veturë. Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku është vërejtur një veturë, e cila ishte përfshirë tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve, të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin. Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar”, ka konfirmuar PK-ja.
Në ndërkohë të njëjtit kanë konfirmuar që vetura e djegur në këtë rast është e tipit “VW Pasat”, me targa vendore. “Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të Sektorit Rajonal të Hetimeve, Njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit ‘VW Passat’ me targa vendore”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka folur rreth dyshimeve të Prokurorisë lidhur me rastin e vrasjes në Pejë. “Dyshohet që në drejtim të viktimës fillimisht kishte pasur të shtëna me armë zjarri. Më pas i ishte vënë zjarri veturës së tij”, ka thënë Nikçi gjatë një konference shtypi.Ai ka shtuar se nuk mund të konfirmohet identiteti i viktimës përderisa të mos kryhet obduksioni dhe të konfirmohet përmes krahasimit me ADN-në e familjarëve.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar në lidhje me vrasjen e ish-ushtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendi. Thaçi u ka bërë thirrje urgjente institucioneve që të zbardhin rastin.
“Vrasja tinëzare e Qerim Kelmendit, njërit prej luftëtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte tronditëse për mua dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. U bëj thirrje urgjente institucioneve të rendit dhe të ligjit që ta zbardhin këtë vrasje të tmerrshme sa më shpejt që është e mundur dhe kryesit e saj të vendosën para drejtësisë. Familjes Kelmendi dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të Qerimit ua shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, duke i siguruar se do t’i përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë të shtetit për ta zbardhur këtë vrasje mizore”, ka shkruar Thaçi.
Ndërsa kryeministri i vendit Albin Kurti po ashtu ka kërkuar hetim nga Prokuroria lidhur me këtë ngjarje të rëndë. “Herët nga ministria e pastaj nga mediet mësuam se është vrarë dhe është djegur në makinën e tij Qerim Kelmendi, ish-ushtar i UÇK-së. 21 vjet pas luftës, në kohë të paqes, askush nuk duhet të jetojë me ndjenjën e frikës e sidomos ata që sakrifikuan më së shumti. Policia dhe Prokuroria duhet ta hetojnë me gjithë kapacitetin e tyre këtë vrasje mizore, që është më shumë se krim”, ka thënë Kurti.
Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe Ramush Haradinaj, nga AAK-ja, ku u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të merren me zbardhjen sa më të shpejtë të rastit.Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që konform përgjegjësive që kanë të marrin masa të menjëhershme në funksion të zbardhjes së kësaj vrasjeje.
Ibrahim Kelmendi, vëllai i Qerim Kelmendit, që u gjet i vrarë në Zahaq të Pejës, ka reaguar për aktin makabër që tronditi Kosovën. Te reagimi i tij ai ka përmendur “rugovistët”, të cilët nuk ka hezituar t’i quajë edhe dorë e zgjatur e Serbisë.
“Festoni rugovistë ‘pacifistë’ – dorë e zgjatur vrastare e Serbisë! Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin, qelbësira shqipfolëse!”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.Ish-udhëheqësi i Lëvizjes Popullore të Kosovës gjatë ditës po ashtu ka deklaruar se vëllai i tij i ndjerë deri sot nuk ka marrë asnjë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale. Ai thotë se me Qerimin kishte komunikuar çdo ditë e se ai nuk e kishte shfaqur ndonjë shqetësim, përveç atyre për të cilat thotë se ka shkruar edhe publikisht e që ishin vrasjet politike. Po ashtu Kelmendi ka pohuar se dyshon që prapa vrasjes së vëllait të tij qëndrojnë vrasës mercenarë ose profesionistë të BIA-s serbe, që thotë se këtë e kanë bërë për të ndezur edhe më shumë armiqësimin mes krahut të luftës dhe atij të paqes.Në ndërkohë pas vrasjes ka reaguar edhe motra e Qerimit.
Lushe Kelmendi në një postim në “Facebook” shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e vëllait. “Dashni, ta shkurtuan jetën, por ti nuk do të vdesësh. Ti do të jesh me ne deri në përjetësi”, ka shkruar ajo.
Qerim Kelmendi ishte anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Dega brenda Kosovës dhe së bashku me vëllain e tij Ibrahimin ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në fillimet e saj.
Madje Qerimi kishte thënë se ishte plagosur në gusht vitit 1996, duke qenë kështu i plagosuri i parë i UÇK-së.Qerim dhe Ibrahim Kelmendi ishin akuzuar për vrasjet e pasluftës në Kosovë nga dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale Shkumbin Mehmeti, i cili ka qenë pjesë e një grupi kriminal që kreu këto vrasje.Sipas Mehmetit, vëllezërit Kelmendi kanë urdhëruar vrasjen e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Smail Hajdarajt dhe vrasjen e Tahir Zemajt.
Dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale kishte thënë po ashtu se Qerim Kelmendi dhe vëllai i tij Ibrahimi kishin ngarkuar Florim Ejupin me detyrë për vrasjen e Xhavit Halitit, ish-deputet i PDK-së, por që plani për vrasjen e tij ka ngecur.Qerim Kelmendi u vra pak pas mesnatës së të mërkurës me breshëri automatiku dhe trupi i tij u gjet totalisht i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Pejës.
Ndryshe, Qerimi prapa vetes la gruan dhe një vajzë. /Zëri/