Shtatë persona janë arrestuar në aksionin e sotëm ku janë konfiskuar 400 kilogramë narkotik të llojit kokainë në vlerë 20 milionë euro.
Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës, Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë dhe autoritetet e shtetit italian në një konferencë të përbashkët sonte për media kanë dhënë detaje rreth rastit, që u tha se kamioni në të cilin ndodheshin narkotikët ishte nisur nga Brazili për në Kosovë.
Narkotikët që u konfiskuan në ish-fabrikën e “Coca-Cola”-s në Lipjan, u tha se ishte e fshehur dhe e kamufluar në pako të ngjashme me lloje të ndryshme të mishit. Autoritetet e Kosovës thanë se kishin qenë të njoftuar në lidhje me rastin dhe se kanë zhvilluar masë të fshehtë me autoritet nga Italia dhe Shqipëria.
Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, tha se përveç narkotikëve janë sekuestruar edhe një sasi e të hollave, veturave dhe sende të tjera.
Ai tha se gjatë hetimeve janë përdorur masat e fshehta ku është përcjell lëvizja e narkotikëve nga Brazili në Itali dhe pastaj nga Durrësi deri në Kosovë.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, autoritetet Italiane dhe ato të Shqipërisë sot janë ndërmarrë masa dhe veprime, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e 400 kilogramëve narkotik të llojit kokainë, vlera e të cilës arrin rreth 20 milionë eurove, si dhe janë sekuestruar një sasi e të hollave, veturave dhe sendeve të tjera, të cilat do të na shërbejnë në procedurën e mëvonshme penale. Gjatë fazës së hetimeve janë përdorur masa të fshehta ku kemi përcjellë lëvizjen e narkotikëve nga shteti i Brazilit për në Itali, më pastaj në Durrës deri në arritjen e destinacionit, përkatësisht në Republikën e Kosovës. Në këtë mënyrë kemi vërtetuar edhe një herë se puna e përbashkët ekipore e Prokurorisë së Shtetit dhe policisë ju dërgon porosi të qarta të gjitha grupeve kriminale se do të përballen me drejtësinë. Jemi të vetëdijshëm se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të luftohen nga një shtet i vetëm, prandaj në këtë rast kemi bashkëpunuar me partnerët tanë duke parë se krimi me të cilin po ballafaqohemi i tejkalon kufijtë e shtetit tonë. Kjo jo vetëm që ishte sfidë për shtetin tonë, por edhe një detyrim për të luftuar krimin e organizuar”, tha Lumezi.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka bërë të ditur se më 3 maj 2021, përmes kanaleve zyrtare kanë pranuar inflamacione se një dërgesë në një port italian ka ardhur nga Brazili me destinacion Kosovën dhe se ka dyshime se mund të ketë të fshehur narkotikë të llojit kokainë.
Ai tha se gjatë komunikimit me autoritetet është arritur pajtueshmëria që të realizohet një hetim dhe operacion i përbashkët për përcjelljen e kësaj dërgese deri në destinacionin përfundimtar.
Mehmeti u shpreh se në koordinim të tri shteteve, Kosovës, Italisë dhe Shqipërisë është bërë përcjellja gjatë gjithë kohës e kësaj dërgese.
“Institucionet e të tri shteteve kanë bashkuar ngushtë në kohë reale dhe në çdo moment, gjatë gjithë kohës ka pasur komunikim të rregullt në mes tri institucioneve të cilat i përmenda. Ngarkesa përmes territorit të Republikës së Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës ka arritur me datë 15.05.2021, ku është ndalur në parkingun e një depoje pronë e një kompanie të dyshuar. Gjatë tërë kohës kjo ngarkesë është mbikëqyrur nga Policia e Kosovës me qëllim të zbulimit të personave të dyshuar të cilët mund të kenë lidhje kriminale me trafikun ndërkombëtar të kësaj sasie të narkotikëve. Sot rreth orës 11:00, të dyshuarit kanë filluar aktivitetin e tyre kriminal për të tërhequr sasinë e dyshuar të narkotikëve, me ç’rast Policia e Kosovës ka ndërhyrë natyrisht me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës kompetente. Njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës kanë marrë situatën nën kontroll dhe kanë arritur të arrestojnë persona të dyshuar dhe po ashtu të gjejnë një sasi prej rreth 400 paketimeve të dyshuara për kokainë”, tha Mehmeti.
Mehmeti tha se do të kryejnë bastisje edhe në vende të tjera dhe se operacioni është në vazhdim dhe mund të ketë edhe arrestime të tjera.
“Substanca e dyshuar narkotike ishte e fshehur dhe e kamufluar në pako të ngjashme me lloje të ndryshme të mishit. Gjatë këtij operacioni policor deri më tani janë arrestuar 7 persona, shtetas të Republikës së Kosovës dhe janë konfiskuar rreth 400 kg substancë narkotike që dyshohet të jetë kokainë, një armë si dhe lloje të ndryshme të veturave kamionë dhe gjësende të tjera të cilat gjendshin në depo… Substanca narkotike, e cila është gjetur është gjetur vetëm në një lokacion, bastisjet tjera janë bërë në disa lokacione, mirëpo duhet ta keni parasysh edhe një gjë që është fjala për një sasi jashtëzakonisht të madhe të substancës narkotike edhe për një rrjet të caktuar i cili mund të ketë lidhje edhe ndërkombëtare që nënkupton se operacioni është në vazhdim edhe mund të ketë edhe bastisje dhe arrestime të tjera. Ndërsa, është fjala për 7 shtetas të Republikës së Kosovës në momentin kur po flasim, por edhe në momentin kur po flasim operacioni është duke vazhduar, kështu që është dinamik dhe mundet me pas ndryshime”, tha ai.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë, Arben Kraja, tha se kanë qenë të përfshirë në hetimin e këtij rasti që në momentet e para kur kanë marrë informacionet.
“Ka dy momente që duhet vlerësuar në këtë rast, momenti i parë është që grupet e strukturuara apo organizatat kriminale siç e shihni ushtrojnë aktivitetin në një territor shumë të gjerë, nga Brazili deri në Kosovë duke kaluar në shumë territore dhe kjo tregon se kanë arritur shkallën e rrezikshmërisë së tyre. Por, nga ana tjetër reagimi që bënë institucionet tona duke filluar nga autoritetet e huaja shqiptare, të Kosovës, italiane tregon se nëse jemi të gjithë bashkë dhe do të koordinojmë me njëri-tjetrin, do të jemi shumë të suksesshëm. Monitorimi dhe dorëzimi i kontrolluar i gjithë sasisë prej rreth 400 kg kokainë tregon që efektiviteti i gjithë strukturave tona ishte i duhur. Duhet ta kemi të qartë të gjithë që ne e kemi seriozisht dhe jemi të vendosur që deri në fund të luftojmë rastet e tilla”, tha Kraja.
Përfaqësuesi i autoriteteve italiane, Gianpierro Carriero tha se ka qenë shumë e rëndësishme që të dihet destinacioni i drogës së konfiskuar sot.
“Ka qenë shumë me rëndësi të dimë destinacionin kah ka ardhur dhe ku ka qenë e drejtuar kokaina dhe si rezultat ka ardhur deri te sekuestrimi i një sasie të lartë. Ka qenë një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të autoriteteve të cilat kanë bërë zbulimin e këtij rrjeti të narko-trafikut”, tha ai.
Nga të arrestuarit, tre persona janë nga Prishtina, një nga Gjilani, një nga Lipjani, një nga Peja dhe një nga Obiliqi.