Nga orët e mëngjesit të enjten janë mbajtur takimet bilaterale e tripalësh në Bruksel në nivel të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar ndaras me shefin për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ndërsa më pas kanë mbajtur edhe takim trepalësh në të cilën takim nuk pati përshëndetje e shtrëngim duarsh.
Në ndërtesën ku po mbahej takimi ka qenë i pranishëm edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.
Pavarësisht takimeve, të enjten nuk u arrit marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas përfundimit të takimeve, në orët e mbrëmjes Qeveria e Kosovës ka dalë me një komunikatë për media.
Nga ekzekutivi kanë bërë të ditur se janë diskutuar dy tema.
E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes, ndërsa e dyta për çështjen aktuale politike e të sigurisë.
Sipas njoftimit, kryeministri ka thënë se marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohja reciproke të jetë në qendër.
Ndërsa, ka prezantuar disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë.
“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes.
Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”.
“Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në komunikatën për media të Qeverisë.
Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se nuk është arritur marrëveshje sa u përket çështjes së targave dhe dokumenteve për hyrje-dalje në kufi.
Ai ka deklaruar nuk do të dorëzohet dhe se ende ka kohë deri më 1 shtator, kur do të hyjë në fuqi vendimi i Kosovës për reciprocitet për targa dhe dokumente hyrje-dalje.
“Takimi i sotëm nuk ishte normal, pra i rregullt. Së bashku me përfaqësuesin Lajçak, kemi thirrur këtë takim sepse po ballafaqohemi me zhvillime kryesisht negative në terren dhe rritje të tensioneve në veri të Kosovës. Ky takim kishte të bënte me përgjegjshmërinë e të dy liderëve në kërkim të zgjidhjes në mirëbesim për të bërë përpjekje drejt paqes dhe stabilitetit”, është shprehur ai para mediave.
Sipas tij, është koha për të gjetur zgjidhje afatgjate për shumë probleme dhe çështje që lidhin dy vendet.
“Jemi në një kohë kritike. E shohim kthimin e luftës në kontinentin tonë pas invazionit rus në Ukrainë. Ballafaqohemi me një moment dramatik dhe të rrezikshëm për kontinentin tonë. Është koha për të kërkuar zgjidhje dhe për të zgjidhur çështje afatgjate. Ju kam thënë të dy liderëve që ky takim ishte për menaxhim krizash dhe qëllimi ishte që të qetësohej situate në terren”, ka deklaruar Borrell.
Tutje, ai ka shtuar se nuk është shënuar progres për çështje më të mëdha dhe se për momentin nuk ka kompromis nga palët.
“Nuk mund të them se në këtë takim ka pasur progres për çështje më të mëdha. Nuk ka kompromis për momentin”.
Borrell ka pohuar se në fund të takimit ua ka bërë të qartë të dy liderëve se “BE-ja dhe anëtarësimi në NATO duhet të mbesin synimi përfundimtar dhe ata duhet të gjejnë një mënyrë për të avancuar tutje në këtë rrugëtim. Hapi i parë është që të kërkojnë zgjidhje për situatën aktuale”.
Ndërkaq, për takimin Kurti-Vuçiq dhe dialogun ka reaguar edhe SHBA, duke bërë thirrje që të vazhdohet dialogu.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha në konferencën e përditshme për shtyp se Uashingtoni po e ndjek me vëmendje dhe përparësi situatën.
“Nga ajo që dimë është se bisedimet po vazhdojnë. Ne, në partneritet me BE-në po e ndjekim me kujdes dhe inkurajojmë të dyja palët që të shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive dhe u sugjerojmë palëve që të vazhdojnë dialogun”, tha Price.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit shtoi se Uashingtoni e përkrah në tërësi dialogun dhe tha se është me rëndësi që të dyja palët të shfrytëzojnë këto bisedime në mënyrë efektive, duke përsëritur qëndrimin e Uashingtonit se atë duhet të “çojnë përpara diskutimin për normalizim marrëdhëniesh që ka në qendër premisën e njohjes së ndërsjellë”.
Price tha se zyrtari i Departmentit të Shtetit, Gabriel Escobar krahas ambasadorit të SHBA-së në BE, Mark Gitenstein janë duke i vëzhguar diskutimet nga afër në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe shtoi se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken është i angazhuar personalisht.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit nuk pranoi të përgjigjej nëse Shtëpia e Bardhë i ka dorëzuar një mesazh të enjten Bashkimit Evropian në lidhje me dialogun Kosovë Serbi, por tha se “ne jemi të kënaqur që këto diskutime kanë filluar dhe po vazhdojnë edhe tani. Ne do të mbesim të përfshirë drejtpërdrejtë me të dyja palët, me homologët tanë në Kosovë dhe Serbi si dhe përmes vëzhgimit të bisedimeve që po ndërmjetësohen nga BE-ja”.