Gjetën mbi 1 mijë euro e dokumente personale në rrugë, qytetarët nga Vitia i dorëzojnë në Polici

Dy persona në Viti, e kanë gjetur një portofol me para sot dhe e kanë dorëzuar në Stacion Policor.

Policia e Kosovës thotë se sot rreth orës 12:00 kanë ardhur në Stacionin Policor në Viti dy qytetarë dhe deklarojnë se në rrugën “Adem Jashari” në Viti kanë gjetur një Portofol me 1030 euro si dhe dokumente personale.

“Policia nëpërmjet rrugëve operative ka arritur ta identifikojë personin që i kishte humbur Portofoli, dhe të njëjtit në bazë të procedurave ligjore i është  kthyer, ku me rastin e kthimit të pranishëm ishte edhe qytetaret që e kishin gjetur portofolin. Pronari i Portofolit falënderon Policinë e Kosovës edhe palët që i kanë kthyer Portofolin”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Policia thotë se “Duke çmuar këtë gjest human, të devotshëm dhe të ndershëm falënderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e vazhdueshëm me Policinë e Kosovës”.