Gjermania regjistron numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus që nga maji

Gjermania ka regjistruar numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus në më tepër se tre muaj, shkruan agjencia Reuters.

Instituti Robert Koch ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar 1226 raste të reja, duke çuar shifrën totale në 218.519. Është numri më i madh që nga 9 maji.

Ndërkohë kanë vdekur gjashtë persona, duke çuar shifrën në 9207.

Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, ka paralajmëruar për përhapjen gati në çdo vend për shkak të personave që po kthehen nga pushimet dhe për shkak të festave që po organizohen.

“Padyshim është shqetësuese. Kemi shumë përhapje në gjithë vendin. Është shkaku i pushuesve që po kthehen, por edhe për shkak të gjitha festave të ndryshme dhe ahengjeve familjare. Ne kemi përhapje të vogla e të mëdha në shumë rajone, gati në gjithë vendin”, ka thënë Spahn për radion “Deutschlandfunk”.

Spahn po ashtu ka thënë se është skeptik sa i përket vaksinës ruse kundër COVID-19, që ka marrë aprovimin autoritetet ruse të martën. Ai ka thënë se vaksina nuk është testuar mjaftueshëm.

Rusia ka njoftuar për 5102 të infektuar të ri me koronavirus në 24 orët e fundit, duke çuar shifrën në 902.701. Po ashtu janë regjistruar 129 të vdekur si pasojë e COVID-19 në 24 orët e fundit, duke u arritur shifra totale në 15.260.