Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, njoftoi se ky vend do të pezullojë për një periudhë të caktuar vënien në punë të gazsjellësit Nord Stream 2 për shkak të aktiviteteve të fundit të Rusisë në Ukrainën lindore.
Sipas mediave gjermane, Scholz tha sot se për shkak të njohjes ruse të Donetskut dhe Luhanskut, vendimi për certifikimin e gazsjellësit ruso-gjerman do të mbetet në pritje.
“Si përgjigje ndaj aktiviteteve ruse në Ukrainë, qeveria federale po e ndalon projektin e gazsjellësit Nord Stream 2. Pa këtë certifikim, Nord Stream 2 nuk mund të fillojë të funksionojë”, tha Scholz.
Gazsjellësi midis Rusisë dhe Gjermanisë përfundoi shtatorin e kaluar, por nuk është ende në funksion. Nord Stream 2 është projekt i përfunduar në partneritet mes kompanisë ruse Gazprom që ka në pronësi 51 për qind të aksioneve dhe disa kompanive gjermane, holandeze e franceze.
Sipas Frankfurter Allgemeine Zeitung, Scholz sot i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë të tërheqë raportin ekzistues për analizën e sigurisë së furnizimit, i cili është një dokument kyç në certifikimin e Nord Stream 2.
“Mund të tingëllojë teknike, por është një hap i nevojshëm administrativ pa të cilin gazsjellësi nuk mund të certifikohet. Pa certifikim, Nord Stream 2 nuk mund të vihet në funksion”, shtoi Scholz.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, zyrtarët e këtij departamenti do të bëjnë një vlerësim të ri për sigurinë e furnizimit në periudhën në vijim, duke marrë parasysh të gjitha faktet dhe ngjarjet e ditëve të fundit.
“Në këtë fazë, tani është e rëndësishme, përveç sanksioneve të para, të parandalojmë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe kështu një katastrofë tjetër. Të gjitha përpjekjet tona diplomatike janë të drejtuara drejt këtij qëllimi”, shpjegoi Scholz.
Që në fillim, projekti Nord Stream 2 nuk u miratua nga aleatët perëndimorë, të cilët e panë atë si një projekt me të cilin Rusia kërkon të zgjerojë ndikimin e saj ekonomik dhe politik në Evropë.
Në muajt e fundit, pasi konflikti në Ukrainën lindore u përshkallëzua, shumë zyrtarë perëndimorë kanë theksuar se bllokada e projektit Nord Stream 2 duhet të jetë pjesë e sanksioneve që Perëndimi mund të përdorë kundër Rusisë.
Megjithëse qeveria e re gjermane ka qenë e kujdesshme për pezullimin e projektit, aktivitetet e fundit ruse dhe njohja e Donetskut dhe Luhanskut si territore të pavarura kanë detyruar qeverinë federale gjermane të përshpejtojë procesin e sanksioneve, i cili do të përfshijë projektin e diskutueshëm Nord Stream 2.