Gjermania ka shmangur me mund humbjen nga Spanja për të mbetur në garë për kalim në fazën e dytë në Kupën e Botës në Katar. Gjermania ka shënuar gol në minutën e 83-të për barazimin 1:1 me Spanjën, të dielën mbrëma.
Spanja ka kaluar në epërsi 1:0 në minutën e 62-të. Alvaro Morata ishte realizator. E përballur me eliminim të hershëm, Gjermania u hodh në sulm në kërkim të barazimit. Në minutën e 83-të, shifrat në 1:1 i barazoi Nicklas Fuellkrug. Kishte raste më pas, por jo edhe gola. Për Gjermaninë është pika e parë, por mund të jetë shumë e rëndësishme në fund. Në grupin E udhëheq Spanja me katër pikë. Nga tri pikë i kanë Japonia dhe Kosta Rika. Ndërkohë Gjermania është e fundit me vetëm një pikë.
Më 1 dhjetor, Gjermania luan me Kosta Rikën, ndërsa Japonia takohet me Spanjën. Gara për avancim tutje nga ky grup është plotësisht e hapur.