Dje rreth orës 15:00, një person është paraqitur në një stacion të policisë në qytetin Regensburg të Gjermanisë, për të informuar se ai kishte vrarë gruan e tij në një apartament të këtij qyteti, raporton Gazeta TAG24, transmeton Gazeta Stop.
Komisionerja e policisë në këtë qytet, Franziska Meindl, tha se kolegët e saj shkuan drejt banesës së burrit.
“Menjëherë më pas, kolegët shkuan me makinë drejt banesës së burrit. Atje ata gjetën kufomën e një gruaje”, tha ajo duke shtuar se “Ne ende nuk jemi në gjendje të sigurojmë ndonjë informacion të besueshëm mbi motivin dhe rrjedhën e ngjarjes”, ka përfunduar Meindl.
Nuk ka ende ndonjë njoftim zyrtarisht se si ka ndodhur saktësisht vdekja e gruas në apartament, ndërsa është lëshuar urdhër arresti për vrasje ndaj burrit të saj.
Sipas deklaratave që policia ka lëshuar të premten, 55-vjeçari dyshohet se ka goditur me thikë gruan e tij, autopsia e trupit të viktimës ka zbuluar disa plagë me thikë në pjesën e sipërme të trupit, kurse burri është dërguar në një institucion korrektues.
Rasti është duke u hetuar nga policia kriminale në Gjermani.