Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar të hënën se e ka gjetur trupin e pajetë të edhe një sulmuesi të dyshuar në veri të vendit, duke e çuar në katër numrin e sulmuesve të vrarë.
Trupi i pajetë është gjetur rreth 1.5 kilometra larg “vendit të incidentit”, një ditë pasi një grup prej dhjetëra personave të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës.
Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga prokurori Naim Abazi. “Jemi duke bërë përpjekje ta identifikojmë atë për momentin, pasi nuk kishte dokumente identifikimi me vete”, tha Abazi.
Abazi tha se, po ashtu, në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një automjet tjetër me armatim.
Policia e Kosovës u sulmua nga persona të maskuar në orët e hershme të së dielës pasi shkoi për t’i larguar barrikadat e vendosura në Banjskë, të cilët u strehuan në manastirin e fshatit më vonë.
Si pasojë, zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.
Të dielën, autoritetet kosovare thanë se tre sulmues u vranë gjatë sulmit, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, u arrestuan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.
Gjendja në veri të Kosovës të hënën është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga policia e Kosovës, pas sulmit vdekjeprurës të së dielës nga persona të armatosur dhe maskuar.
Njësia Speciale e Kosovës e ka vendosur një automjet të blinduar dhe vetura të tjera në kryqëzimin Ballaban, i cili dërgon në Banjskë.
Duke folur në një konferencë për gazetarë, Kurti i përshkroi sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.
Ai i bëri thirrje grupit që t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.
Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.