Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar gjashtë persona të cilët dyshohen për prodhim dhe futje në treg të parave të falsifikuara dhe kanë sekuestruar një vlerë të madhe të monedhave false.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, të arrestuar janë tre shtetas të Kosovës dhe tre të Maqedonisë së Veriut. Ky institucion tha se dyshohet që paratë të jenë prodhuar “në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit”.
“Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej 85.010 euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë telefona celularë”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale lidhur me këtë operacion të kryer nga Policia e Kosovës dhe Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit.
Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Në tregun e Kosovës është vërejtur një shtim masiv i parave false. Ekspertët nga Agjencia e Forenzikës më herët gjatë nëntorit i thanë Radios Evropa e Lirë se vlera e parave false në Kosovë është në rritje, krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas autoriteteve, monedhat prej 2 eurosh dhe kartëmonedhat prej 50 eurosh janë më të falsifikuarat.
Për shkak të parave false që po qarkullojnë në treg, në disa dyqanetushqimore dhe në furrat e bukës në Kosovë kanë nisur që të mos pranojnë pagesa me monedha prej 2 eurove.