Gjashtë muaj nga fillimi i punës, Spitali i Pediatrisë, pa staf të mjaftueshëm mjekësor


Spitali i Pediatrisë, i cili nisi punën në fund të muajit mars, ende nuk ka numër të mjaftueshme të stafit mjekësor. Kjo ka vështirësuar punën e disa shërbimeve aty. Në Njësinë e Emergjencës mjekësore të fëmijëve tregojnë se për shkak të mungesës së mjekëve dhe infermierëve nuk e kanë funksionalizuar trajtimin ditor. Mungesa vërehet edhe në Kirurgjinë e Fëmijëve, ku nga katër salla operative stafi aktual operon me vetëm dy.

Kanë kaluar gjashtë muaj prej kur spitali i ri i pediatrisë “Sheikha Fatima” në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka filluar punën dhe disa shërbime janë transferuar nga objekti i vjetër i Pediatrisë. Infrastruktura e re ka bërë të mundur që fëmijët të marrin kujdes mjekësor në kushte dukshëm më të mira. Megjithatë, puna në këtë spital ende po shoqërohet me mungesë të stafit mjekësor. Për shkak se numri i mjekëve dhe infermierëve është i pamjaftueshëm, Njësia e Emergjencës mjekësore nuk ka funksionalizuar trajtimin ditor.

Pediatrja Flora Selimi tregon se kanë bërë kërkesa për staf të mesëm dhe specialistë të pediatrisë.

“Reparti i Emergjencës mjekësore është vetëm në trajtimin e ambulantor, trajtim që zgjat 24 orë, d.m.th. edhe përfshirja e kujdestarisë. Trajtimi ditor që preferohet në kujdesin e emergjencës mjekësore nuk është funksionalizuar për arsye se kemi mungesë të stafit mjekësor të mesëm, do të thotë të motrave infermiere, si dhe të doktorëve, të cilët duhet ta mbajnë repartin e Emergjencës mjekësore”, ka thënë Selimi.

Edhe në Klinikën e Kirurgjisë së fëmijëve tregojnë se nga katër salla aktualisht shfrytëzohen vetëm dy prej tyre për operacione elektive, si dhe për intervenime urgjente. Drejtori Ardian Shefkiu ka thënë se në kufizimin e kapaciteteve, veç tjerash, ka ndikuar edhe mungesa e anesteziologëve.

“Prej momentit kur kemi hyrë është fakt se kemi pasur mungesë të stafit dhe vazhdojmë të kemi. Por Ministria në bashkëpunim me QKUK na kanë premtuar se janë angazhuar maksimalisht për të siguruar stafin. Muajin e kaluar ka pasur një konkurs, janë pranuar 30, pas një kohe është anuluar gjysma e tyre dhe nga këto 15 që janë pranuar, dy janë sjellë tek ne, presim edhe një të vijë javës që vjen. Edhe në muajin tetor do të ketë edhe një konkurs ku pritet të pranohen edhe 30 punëtorë. Edhe nga ta do të jenë infermierë dhe një pjesë nga ta na është premtuar se do të sillen në klinikën tonë”, ka thënë Shefkiu.

Për mungesën e mjekëve dhe infermierëve KOHA gjatë javës ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në, por nuk ka marrë përgjigje.

Deri më tani në Spitalin e Pediatrisë janë funksionalizuar shërbimet si ato të hemato-onkologjisë pediatrike, të kirurgjisë pediatrike dhe shërbimet e mjekësisë interne për fëmijë. Por shërbimet si ato të traumës, radiologjisë, neonatologjisë, ortopedisë dhe disa shërbime të tjera ende nuk janë transferuar në objektin e spitalit të ri.

“Sheikha Fatima”, donacion dhe investim 22 milionësh për Kosovën nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ishte përuruar më 13 shtator të vitit të kaluar, derisa punimet për ndërtimin e këtij spitali kanë filluar në mars të vitit 2016.