Kombëtarja e Kosovës do të përballet nesër me Qipron, në ndeshjen e fundit në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Ndeshja e nesërme ka rëndësi të madhe për të dy ekipet kombëtare, shkruan Gazeta Express.
Kosova synon fitoren për të ruajtur pozitën e dytë në grup, në të cilën momentalisht renditet me 6 pikë – vetëm një më shumë se Irlanda e Veriut dhe Qipro.
“Dardanëve” i mjafton edhe barazimi për të mbetur në Ligën C edhe për sezonin e ardhshëm, por nuk duhet që asgjë t’i lihet rastit.
Në konferencën për media të mbajtur sot, u paraqit përzgjedhësi i Kombëtares, Alain Giresse, i cili u pyet pse nuk po luajnë futbollistët nga skuadra e Ballkanit; Lindon Emërllahu dhe Lumbardh Dellova.
“Ka edhe shumë lojtarë tjerë që nuk luajnë. Kam një listë me 23 lojtarë dhe vetëm 11 duhet të luajnë. Emërllahu nuk i ka treguar ende cilësitë me U21, prandaj është ende diçka shumë e madhe, një hap i madh për të për të kaluar në Kombëtare. Nuk është njëjtë si të luash në Ligën e Konferencës, si te Kombëtarja e Kosovës. Sa i përket lojtarit tjetër, ai mund të luajë anash dhe si qendërmbrojtës. Mirëpo, trajneri duhet të bëjë zgjedhje dhe kjo është zgjedhje sportive”, ishte përgjigja e francezit.
Kurse, në pyetjen “se a e mendon dorëheqjen nëse Kosova pëson humbje nesër”, Giresse tha: “A mendoni që shumë trajnerë i përgatisin dorëheqjet e tyre?, asnjë trajnerë nuk mendon që ka me humb”.
Ndeshja mes Kosovës dhe Qipros do të zhvillohet nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri”.