Zhvillimet e fundit në Kosovës, me dërgimin në Dhomat e Specializuara të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po vlerësohen si të dëmshme dhe sfiduese për Kosovën në shumë aspekte, e në veçanti në këtë kohë të pandemisë. Për këtë kërkohet që të ketë unifikim të spektrit politik kosovar për të menaxhuar këtë situatë kritike.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha se Kosova është duke u ballafaqurar me sfida të shumta qoftë në aspektin pandemik, ekonomik, social, integrues, e në veçanti me sfidën e stabilitetit politik në relacionin pozitë-opozitë, po edhe në mes partnerëve të koalicionit, ku tentohet të shfrytëzohet ky moment sfidues në të cilën po kalon Kosova, për qëlllime politike, partiake dhe jo shtetërore.
“Ngjarjet e fundit që lidhen me dërgimin në Dhomat e Specializuara të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po e zbehin reputacionin e shtetësisë së Kosovës, dhe në këtë drejtim është koha për një unifikm politik që me lehtësi të tejkalohet kjo situatë për të cilën kundërshtarët e Republikës së Kosovës kanë punuar me vite të tëra. Shteti i Kosovës është një realitet i pa kthyer, falë sakrificës së popullit të Kosovës bërë për shumë dekada dhe mbështetjes së miqve tanë ndërkombëtar dhe në veqanti ShBA-së, dhe vendeve tjera evropiane, për cka duhet të jemi mirnjohës. Por fati i Republikës është në duartë tona, ku duhet të dëshmohet një politikë unifikuese dhe jo përqarëse, ku duhet të mendohet për shtet dhe jo vetëm për pushtet, ku ekonomia, edukimi dhe shëndetësia të jenë objektiv parësor e sundimi rendit dhe ligjit, garancë e ardhmërisë”, tha ai.
Sipas tij Kosova po kalon periudhë më kritike që nga viti 1999, jo vetëm në aspektin politik, por edhe ekonomik, social dhe integrues, prandaj uniteti politik nuk ka alternativë dhe për këtë nevojitet të kemi dialog kosntruktiv ndërpartiak, i cili do të kishte qëllim një dialog unifikues për të dalë nga situata aktuale dhe jo vetëm dialog për të dialoguar.
“Pozitë dhe opozitë duhet të ulen në tavolinë dhe të dalin me propozime konkrete në interes të shtetit dhe ardhmërisë. Kosova duhet të dëshmojë se ka kapacitet shtetformuese dhe të dëshmojë seriozitet para miqve, se mund të ia dal edhe në këto situate sfiduese”, tha Gërxhaliu.