Eksperti i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha se sporti, arti dhe kultura janë duke bërë më shumë për vendin se sa politika.
Gërxhaliu derisa komentoi shtimin e aktiviteteve kulturore në vendin tonë, ka potencuar se agjenda politike në Kosovë, ka ngulfatur autoritetin dhe reputacionin e Kosovës.
Për Telegrafin, eksperti u shpreh se bizneset, diaspora, arti, kultura dhe sporti janë duke bërë hapa shumë të avancuar.
“Është e vërtetë që agjenda politike në Kosovë ka ngulfatur autoritetin dhe reputacionin e Kosovës. Kjo ka krijuar një pamje që Kosova ka probleme me dialogun me Serbinë, dhe faktin që jemi nën sanksione të Bashkimit Evropian është një nga zhvillimet më të këqija për Republikën e Kosovës. Megjithatë, bizneset, diaspora, arti dhe kultura kanë bërë hapa shumë më të avancuar se sa politika”, theksoi ai.
Gërxhaliu shprehu se festivalet që po organizohen në Kosovë kanë shumë rëndësi, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në atë social.
“Këto ditë jemi dëshmitarë të një eventi të madh, siç është Sunny Hill, dhe kemi edhe festivale të tjera që përformojnë yjet botërore. Këto aktivitete kanë dhënë hijeshi Kosovës. Në anën tjetër, ky grumbull aktivitetesh që promovon vlerat e Kosovës në aspektin kulturor është shumë më i rëndësishëm se politika. Janë duke u organizuar edhe lojërat olimpike dhe fitimi i medaljes së parë është një çështje që duhet të analizohet në shumë dimensione. Eventet si Sunny Hill, DokuFest dhe të tjera kanë rëndësi ekonomike, sociale dhe promovuese”, shtoi ai.
Eksperti i ekonomisë gjithashtu pohoi se politika mbështet sportistët vetëm në momentet kur ka meditje, dhe mbështetja nuk është periodike.
“Në vend që politika të mbështesë këto vlera në mënyrë të vazhdueshme, mbështetja bëhet vetëm në ditët kur ka media dhe turizëm. Kosova ka vlera shumë të mëdha dhe, për fat të keq, politika nuk po e mbështet siç duhet”, përfundoi ai.