Dogana e Kosovës, ka njoftuar se për herë të parë ka arritur të kaloj 500 milionë euro të hyra në këtë periudhë të vitit.
“Kjo shifër paraqet një rekord të ri pasi që nga themelimi i Doganës të hyrat në këtë periudhë të vitit kanë tejkaluar shumën e mbledhur prej 500 milionë eurove. Krahasimi me vitin e kaluar tregon që Dogana ka mbledhur deri me 19 maj 500,1 milionë euro derisa vitin e kaluar të njëjtën periudhë ne kishim mbledhur 434,4 milionë euro, respektivisht shprehur në përqindje 15% më shumë apo 66 milionë euro më shumë. Gjithashtu edhe në krahasimi me projeksioni buxhetor të mbledhjes së të hyrave për vitin 2022 dogana e ka tejkaluar me 6.11% më shumë. Trendi pozitiv që dogana kishte gjatë vitit 2021 ka vazhduar edhe gjatë vitit 2022”, thuhet në komunikatën e Doganës së Kosovës.
Por këto të hyra sipas ekspertit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu nuk duhet t’i krenojnë institucionet e Kosovës.
“Është lajm i mirë, por jo të sjell eufori. Rritja e të hyra doganore është falë inflacionit dhe rritje të çmimeve. Jo vetëm Evropa, por edhe bota po përballet me probleme të njëjta. Rritja e të hyrave për Doganën nuk e përmirëson jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha ai për RTKlive.
Sipas tij Kosova është shtet i varur nga importi. “Kjo rritje është në të mirë për shtetin, por jo edhe për qytetarët e Kosovës. Kosova po importon inflacion se sa po ka rritje të mirëqenies së qytetarëve. Nëse kemi rritje ekonomike rekorde dhe indikatorët pozitiv dhe të mos kemi rritje të mirëqenies”, tha ai.
Gërxhaliu tha se duhet të kemi rishikim të buxhetit dhe nuk duhet të presim. “Ky inflacion do të prek edhe atë që shumë bënë për Kosovën, pra diasporën tonë e cila jeton në vendet perëndimore. Është shqetësuese që edhe stagflacioni ka marrë përmasa shqetësuese”, tha ai.