Komisioni Evropian (KE), ka publikuar të martën raportin e progresit për Kosovën.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka thënë raporti i progresit duhet të jetë udhërrëfyes për të ardhmen e Kosovës.
“Raporti i progresit për Kosovës për vitin 2020 është një përshkrim real i gjendjes aktuale të Kosovës në dimensione të ndryshme. Vërejtjet e adresuara kanë të bëjnë më tepër me mos sundim të rendit dhe ligjit, mungesë e guximit të konfiskimit e pasurisë, marrja me qera e objekteve private, mos përmbushja e kritereve të MSA-së, rritja e deponive të mbeturinave dhe ndotja e ambientit dhe korrupsioni në ndërmarrjet publike dhe në veçanti vërehet një rënie drastike në arsim”, tha ai.
Sipas Gërxhaliut, për liberalizimin e vizave, Kosova e humbi shansin e vitit 2016, kur ishte në pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën.
“Sot BE-ja nuk është ajo e vitit 2016, por e vitit 2020 që po e burokratizon edhe më shumë procesin e vizave për Kosovën, jemi i vetmi shtet i izoluar në Evropë dhe kjo është absurde”, tha ai.
Ish-kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu ka rekomanduar institucionet e Kosovës që të marrin me seriozitet vërejtjet e raportit të progresit të këtij viti. “Duhet të punohet më shumë që raporti i vitit 2021 të jetë më pozitiv për Kosovën”, tha Gërxhaliu.