Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka kërkuar nga Prokuroria e Kosovës, të fillojë menjëherë hetimet ndaj panelit përzgjedhës për guvernatorin e BQK-së.
Gërxhaliu në një intervistë për Tëvë1, ka thënë se vendimi i panelit përzgjedhës që emri i z.Fehmi Mehmeti të mos dërgohet në Kuvendin e Kosovës është mesazh shumë i keq për Kosovën.
“Besoj se ky rast është për tu hetuar nga prokuroria e Kosovës, me këtë listë nuk është dëmtuar z. Fehmi Mehmeti, por është dëmtuar Kosova dhe roli e BQK-së”, tha ai.
Sipas tij guvernatori Fehmi Mehmeti ka pasur suksese të mëdha, rezultatet e të cilit nuk janë vlerësuar vetëm në Kosovë.
“Institucioni më kredibil, në raportin e progresit është BQK, raportet e Bankës Botërore dhe të FMN-së, KE-së tregojnë qartë se guvernatori Fehmi Mehmeti ka menaxhuar mirë, sistemin financiar në kohë të pandemisë”, tha ai.