Derisa Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka bërë të ditur se në Serbi gjatë këtij viti i kanë kontrolluar tri lokacione, derisa ka theksuar se do të ketë gërmime në Shtavalin.
“Edhe në Serbi kemi kontrolluar tri lokacione, në mesin e tyre edhe Kizhevakun. Kemi bërë kontrollin edhe në Shtavalin, një minierë ku dyshohet për varrezë të cilës do t’i qasemi pas Kizhevakut”, ka thënë Gërxhaliu.
Kurse Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, në konferencë për media ka thënë se në këtë vit u janë kthyer familjarëve mbetjet mortore të katër personave.
“Të gjitha mostrat nga mbetjet mortore tani janë dërguar në Institut dhe po presim rezultatet e para për identifikimin e tyre. Gjatë këtij viti familjarëve u janë kthyer për varrim mbetjet mortore të 4 personave”, ka thënë Gara.