Shkruan: Safet Gërxhaliu
Duket utopike një qeveri gjithëpërfshirëse në këtë kohë të një polarizimi të skajshëm dhe nga fakti se Kosova ka shumë politikanë e pa burrështetas.
Rrethanat e krijuara alarmojnë për një reagim të shpejt politik në interes të ardhmërisë sonë.
“Trampizmi” po dikton një qasje të re të sfidave globale ku nuk ka më “take or leave it ” por vetëm ” take it”.
Biseda telefonike në mes të Presidentit Trump dhe Putim është këmbana e fundit për Kosovën që të zgjohet dhe të veprojë sa më shpejt në interes të shtetit dhe jo të pushtetit.
Pas zhvillimeve të fundit nga rezultati zgjedhor, ky model qeverisës do të siguronte stabilitet institucional, bashkëpunim më të gjerë politik dhe përfaqësim më të balancuar të interesave kombëtare.
Ky format do të mundësonte finalizimin e marrëveshjeve të domosdoshme, me përfshirjen e të gjitha partive, duke shmangur inferioritetin e cilitdo subjekti politik ndaj proceseve kyçe për të ardhmen e vendit.
Në aspektin ekonomik, një qeveri gjithëpërfshirëse do të mund të adresonte sfidat kryesore të zhvillimit duke krijuar një strategji të përbashkët për rritjen ekonomike dhe investimet.
Ndërsa në rrugën integruese, një unitet më i madh politik do ta forconte pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe do të lehtësonte proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Tentativa për të zvarritur dhe dëmtuar partitë politike përmes Asociacionit mund të ketë pasoja negative jo vetëm për vetë partitë, por edhe për Kosovën. Në këtë kohë sfidash të reja në Kosovë, rajon dhe gjeopolitikë, është e rëndësishme që vendi të ketë një lidership të aftë për të çuar proceset përpara.
Një qasje gjithëpërfshirëse qeverisëse nuk është vetëm një kompromis politik, por një mundësi për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të prosperuar për Kosovën.
Sikur të kishim lider politik në Kosovë që do të e sakrifikojnë pushtetin në interes të shtetit, qytetarëve dhe ardhmërisëp së përbashkët.