Shkruan: Safet Gëtxhaliu
Mungesa e një dialogu të mirëfillt publiko – privat gjeneron bariera për sektorin privat dhe forcon byrokracin institucionale në dëmë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social.
Ligji i ri për procedurat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) po krijon sfida të reja dhe të mëdha për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në vendin tonë. Një ndër ndryshimet më të diskutueshme është obligimi për kryerjen e transaksioneve përmes bankës për shumën mbi 300 €. Kjo rregullore po krijon një barrë të rëndë financiare për kompanitë e vogla dhe të mesme, të cilat shpeshherë varen nga pagesat në dorë për të mbajtur aktivitetet e tyre të përditshme.
Problemet
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shumë NVM kanë hasur në vështirësi për të mbledhur pagesat e shitjeve në kohë. Në të kaluarën, pagesat bëheshin në dorë në kohën reale të furnizimit të produkteve, ndërsa tani, çdo transaksion mbi 300 € duhet të kryhet përmes bankës. Ky ndryshim ka çuar në vonesa të shumta në ekzekutimin e pagesave nga klientët, duke zhytur shumë kompani në borxhe dhe duke krijuar një cikël negativ financiar.
Implikimet e Zgjatjes së Afateve
Ligji i ri gjithashtu përmban zgjatjen e afatit të vlerësimit tatimor retroaktiv nga 6 në 10 vite dhe zgjatjen e afatit të ruajtjes së librave nga 6 në 10 vite. Këto ndryshime përfaqësojnë një barrë të shtuar për bizneset, sidomos për NVM-të, të cilat tashmë përballen me 101 barriera në ushtrimin e veprimtarive të tyre. Kjo rritje e byrokracisë dhe përgjegjësive administrative vetëm sa i komplikon më tej funksionimin e tyre.
Efektet negative të shkaktuara ne Mjedisin Biznesor
Në një situatë ku sektori privat në Kosovë tashmë përballet me sfida të mëdha, këto ndryshime të ligjit janë si një goditje e dyfishtë. Nuk është çudi që shumë NVM po mendojnë të mbyllen ose të zhvendosen jashtë Kosovës, duke e bërë kështu mjedisin biznesor në vendin tonë edhe më të pafavorshëm për investitorët e huaj. Siç duket, në vend që të përmirësojmë mjedisin biznesor, po e bëjmë më të vështirë dhe të paqëndrueshëm.
Mungesa e Konsultimeve me Sektorin Privat
Një nga arsyet kryesore për këto ndryshime të papërballueshme është mungesa e diskutimeve me sektorin privat gjatë hartimit të këtyre ligjeve. Këto vendime janë marrë nga kolltuqet dhe zyrat e institucioneve, pa u dëgjuar zëri i atyre që preken direkt nga këto ndryshime – bizneset private.
Sektori Privat Heronjtë e Pasluftës
Sektori privat në Kosovë është boshti kurrizor i shtetësisë së vendit tonë. Ata janë heronjtë e pasluftës, të cilët me shumë sakrifica kanë ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie funksionale dhe të qëndrueshme. Nëse dëshirojmë një të ardhme më të mirë për Kosovën, duhet të krijojmë ligje që i mbështesin dhe i ndihmojnë këto biznese të zhvillohen dhe të përparojnë, jo t’i ngarkojmë me barriera të panevojshme dhe burokraci të tepruar.
Tentativa për rritjen e burokracis dhe qasja për barazi në varfëri duke demtuar sektorin privat e në veqanti atë prodhues ështē rreziku që po forcohet e në heshtje po zbatohet.