Gërxhaliu: Jemi vonuar, Projektligji për rimëkëmbje në lexim të dytë të votohet sa më parë

Dje Kuvendi i Kosovës pas disa dështimeve miratoi projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Ky projektligj i hap rrugën edhe të tërheqjes së mjeteve të Trust-it prej 10%.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka mbështetur votimin në parim të projektligjit. “Ky ligj gjatë debatave të shumta dhe shtatë tendencave për tu votuar ka përjetuar amortizim moral, politikisht ka promovuar mos unitet politik dhe në aspektin psikologjiko social pritje të mëdha në masë që vështirë se do të arrihen”, tha ai.

Sipas Gërxhaliut 167 mijë qytetarë mund t’i tërheqin mesatarisht 9 euro, apo 27 përqind e atyre që kanë kursyer. 65756 mund të tërheqin mesatarisht 37 euro, që do të thotë 10 për qind e kursimtarëve, 51 mijë persona apo 7 për qind e kontribuesve mund të tërheqin afër 1 mijë euro”, tha ai.

Gërxhaliu rekomandon edhe më tutje që për ata që kanë më pak se 10 mijë euro tu ribursohen mjetet dhe qytetarët ta shijojnë ndihmën nga dora e shtetit.

“Edhe përkundër polemikave të shumta pozitë-opozitë, por edhe brenda partnerve të koalicionit, rekomandoj të gjenerohet unitet politik, që ligji të votohet bashkarisht e të kontribojmë në fillimin e  rritjes së kërkesës agregate në Kosovë, ku jemi të vonuar me qëllim të fillimit të rimëkëmbjes ekonomike në mënyrë graduale”, tha ai.

Sipas tij sfidat e rimëkëmbjes ekonomike janë të shumta në Kosovë.

“Dua të besoj që uniteti politik është më së i nevojshëm që Kosova të fillojë rirenditjen e saj ekonomike, politike, sociale e në veçanti integruese”, tha ai.