Partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës më 14 shkurt, po premtojnë përkrahje në forma të ndryshme për gratë.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e sheh si të realizueshëm këtë premtim.
Ai, në një prononcim për Albanian Post tha se mbështetja e grave lehona dhe të papuna me nga 250 euro për gjashtë muaj, është diçka që bëhet, por s’është aq e lehtë.
“Duhet të ketë vullnet politik, partneritet dhe dialog”, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, sigurimi i këtyre mjeteve mund të bëhet në rast të ndaljes së keqpërdorimeve në administratë dhe në ndërmarrje publike.
“Nëse do të kemi mbikëqyrje, do të kemi përgjegjësi, një reformim të administratës publike dhe një menaxhim të mirëfilltë të ndërmarrjes publike, këto mjete nuk mund të jenë barrë e buxhetit, sepse ka metoda alternative por nëse ka vullnet, kjo mund të arrihet”.
Tutje Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë, thotë se programet e subjekteve politike duhet të mbështeten në tri dimensione.
I pari është dimensioni emergjent, “sepse po shihen sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova rreth pandemisë”, dimensioni i dytë “është ai kohor” dhe i treti do të jetë “qëndrueshmëria dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm”.
“Kosova është duke u zbrazur, është duke u plakur dhe çdo ide konkrete për ta shtuar natalitetin duhet të respektohet, duhet të mirëpritet dhe duhet të mbështetet”, tha ai.