Gërvalla i përgjigjet kritikave të opozitës: Njohjet nuk janë njësi matëse e suksesit të politikës së jashtme, jemi të gatshëm për zgjedhje

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në intervistën për “Përballje” në Telegrafi.com, ka folur edhe për politikën e Jashtme të Kosovës dhe situatën aktuale politike në vend.

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës se politika e jashtme e Kosovës ka dështuar, ministrja tha se është e rëndësishme që ata kritikojnë.

Ajo theksoi se “të kritikohesh, madje edhe atëherë kur bënë mirë, është e rëndësishme, sepse lëre më atëherë kur nuk bëjnë mirë”.

“Opozita këtë punë ka që duhet të kritikojë, në ekipin tim ekziston fjalia që atë javë që dikush nuk e kërkon dorëheqjen time ajo javë ka qenë tërësisht e pasuksesshme nga ana jonë, sepse nuk paskemi bërë asgjë për të zgjuar nga gjumi ata që duan të na shohin me sy kritikë”, u shpreh Gërvalla.

Sa i përket suksesit të politikës së jashtme, Gërvalla theksoi se nuk është vetëm numri i njohjeve që tregon suksesin e politikës së jashtme, por edhe marrëdhëniet me shtetet e BE-së dhe NATO-s.

“Nuk janë njohjet e reja ajo njësia matëse për suksesin apo dështimin e politikës së jashtme, çfarë është shumë e rëndësishme për Kosovën që shkon përtej njohjeve të mirëfillta janë marrëdhëniet tona me pesë shtetet e BE-së respektivisht me katër shtetet e NATO-s. Ato janë shumë të rëndësishme, sepse ato shkojnë përtej çështjes së numrit të njohjeve që ka Kosova”, tha Gërvalla.

Ministrja u shpreh se Kosova e ka arritur atë numrin e njohjeve që i nevojitet për të pasur një pozicion kredibil, “mirëpo fakti që ende nuk i kemi njohjet nga katër vendet e NATO-s neve na përball me sfida serioze, kjo nuk është një temë të cilën ne mund ta zgjidhim vetëm vetë”.

“Çdo minutë që investojmë në marrëdhëniet me këto shtete është një minutë i vlefshëm, sepse duhet të gjejmë një zgjidhje me ta, qoftë edhe nëse nuk është njohje, të paktën duhet të arrijmë një nivel të marrëdhënieve me këto shtete, të cilat do t’ia mundësonin atyre shteteve tolerimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO apo në BE”, u shpreh Gërvalla.

Në lidhje me zgjedhjet e reja në Kosovë, ministrja Gërvalla u shpreh se Lista Guxo dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të gatshme për zgjedhje në çdo moment, por gjithashtu vlerësoi stabilitetin politik të vendit duke përmbyllur mandatin e plotë.

“Edhe ne, edhe Lëvizja Vetëvendosje jemi të gatshëm për zgjedhje në çdo moment që opozita është e gatshme për të shpërndarë Kuvendin. Megjithatë, unë mendoj që edhe zgjedhjet më të hershme por edhe zgjedhjet e rregullta, të dyja i kanë anët e veta pozitive dhe negative. Mendoj që të kemi për herë të parë një Qeveri e cila e përmbyll mandatin e plotë, është një sinjal i fortë i stabilitetit politik të këtij vendi. Prandaj, edhe ai është një mesazh i fuqishëm, edhe brenda Kosovës, por edhe jashtë Kosovës”, theksoi ajo.

E pyetur se a do të vazhdojnë bashkëpunimin me LVV-në edhe në këto zgjedhje, Gërvalla u shpreh se strukturat e partisë do të vendosin në momentin e duhur.

“Të dyja opsionet janë të hapura. Ne jemi duke punuar për të dyja opsionet: si për forcimin e strukturave të partisë nëse shkojmë në zgjedhje veç e veç si për bashkëpunimin me Vetëvendosjen, nëse vendosim të përsërisim atë çfarë kemi bërë tre vjet më parë. Kjo është një temë e cilën do ta shtrojmë atëherë kur do të dimë se kur do të shkojmë në zgjedhje”, tha ajo.

Ajo gjithashtu përmendi se faza finale e vendimit për zgjedhjet do të vijë pas verës.

Në përfundim, ministra Gërvalla theksoi se është e rëndësishme që Qeveria të tregojë për çfarë ka marrë votën, duke përfshirë politikën e jashtme dhe çështjet tjera që kanë ndikim në qytetarët e Kosovës. /Telegrafi/