Genoa obligohet t’ia paguajë klubit polak 800 mijë euro

Genoa është obliguar t’ia paguajë 800 mijë euro klubit polak Zaglebie Lubin, për shkak të një borxhi që i ka mbetur për transferimin e mesfushorit Filip Jagiello. Në rast se refuzon të bëjë këtë atëherë do të pasojë dënimi, njofton “Football Italia”.

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka thënë se klubi duhet të paguajë shumën brenda 45 ditëve, përndryshe rrezikon t’i ndalohen transferimet në afatin e ardhshëm kalimtar.

Jagiello ishte transferuar në janar të vitit 2019 për dy milionë euro dhe menjëherë u huazua te klubi polak për të kompletuar stinorin. Por, ka ardhur deri te një mosmarrëveshje kontraktuale, ku klubi polak e ka dërguar lëndën te FIFA.

Këtë edicion, 22-vjeçari ka luajtur gjashtë ndeshje në Serie A për Genoan. Kontrata e tij me Genoan skadon në verën e vitit 2023.