Qeveria e re do të votohet në fillim të kësaj jave, sapo të publikohet aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, dekretimi i Avdullah Hotit nga presidenti është në përputhje me aktin më të lartë. Por, LDK-ja ende nuk e ka prezantuar marrëveshjen me Listën Serbe, as emrat e anëtarëve të kabinetit qeverisës. Ndërkaq, detyra kryesore që i përshkruhet kësaj qeverie është heqja e pengesave në funksion të rinisjes së dialogut me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare. Sipas paralajmërimeve të Hotit, një nga vendimet e para do të jetë shfuqizimi i vendimeve të fundit të kryeministrit në detyrë, Kurti.
Në prag të seancës për votimin e Qeverisë së re, LDK-ja vazhdon t’i mbajë sekretë emrat e propozuar për ministri, si dhe marrëveshjen me Listën Serbe. Kryetari i këtij subjekti ka thënë të dielën se emrat do të publikohen pasi të diskutohen në mbledhjen e kryesisë, e cila do të mbahet të hënën.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një bisedë telefonike me “Kohën”, ka refuzuar të flasë për emra, vetëm ka thënë se krahas kryeministrit, kjo parti do ta ketë edhe një zëvendëskryeministër si dhe shtatë ministri. Por, numri i ministrive mund t’i zvogëlohet, nëse AKR-ja vendos t’i bashkohet qeverisë. Mustafa është shprehur i bindur se i kanë votat e domosdoshme për votimin e qeverisë Hoti.